nafteOperacioni i qeverisë për të vënë nën kontrroll naftën që nga momenti i hyrjes në Shqipëri deri në mbërritjen tek konsumatori është përshëndeteur nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve.

Vetë përfaqësues të kësaj shoqate, në një deklaratë për shtyp, kanë pranuar se ky sektor ka vërtet probleme, që lidhen me cilësinë e karburantit që përdorin shqiptarët, si dhe informalitetin e tregut.

Shoqata e Hidrokarbureve thotë se ekziston një pakicë spekulante që shfaqet nga ’hiçi’ shpesh dhe në lidhje dyshuese me segmente të shtetit, që duke ndërtuar skema borxhi ndaj ndërmarrjeve shtetërore, Doganave, Tatimeve, apo Bankave, befas mbyllin një kompani duke u shmangur kështu nga të gjitha borxhet.

Problematikë e ngritur prej tyre është edhe mospërputhja e markës së karburantit që reklamohet me atë që tregtohet në të vërtetë, gjë e cila bie ndesh me ligjin 8450, ku saktësohet se tabela, marka që subjekti reklamon, duhet të jetë e mbështetur me dokumentacion furnizimi nga kjo markë.

Edhe prodhimi vendas, duhet të jetë i mirëkontrroluar, sipas Shoqatës së Hidrokarbureve, pasi produkti final, shpesh nuk është në përputhje me cilësinë që ofron edhe nafta e importit.

Përsa i përket pikave të kontrrollit, Shoqata e Hidrokarbureve thotë se të dy laboratorët që ekzistojnë në vendin tonë janë të paakredituar dhe me teknologjinë që përdorin nuk i analizojnë dot të gjithë parametrat e cilësisë. Shoqata ngre dyshime se këta laboratorë janë të njëanshëm dhe se lind nevoja që ata të jenë të pavarur.

Sektori i hidrokarbureve sjell në buxhetin e shtetit, në formën e taksave dhe tatimeve, rreth 600 milionë euro në vit dhe ka të punësuar mbi 10 mijë punonjës.

Tv Klan