Shqipëria ka nivelin më të ulët në rajon të financimit me kredi nga bankat të sektorit privat. Televizioni Klan ka siguruar një letër që kreu i financave Arben Ahmetaj i ka dërguar presidentit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim, ku thuhet se edhe pse mesatarja e rajonit të dhënies së kredive ndaj biznesit është 45%, Shqipëria e ka në nivelin 35%.

Shkak për këtë, sqaron letra, është niveli i lartë kredive me probleme ku mbi 50% të kredive të këqija e kanë 35 korporata të mëdha. Letra rendit si problem në adresimin e kësaj çështjeje sistemin gjyqësor.

“Ekzekutimi i kolateralit nga sistemi gjyqësor është bërë pengesë që bankat të japin kredi të re; Ato janë po ashtu të ekspozuara mjaft edhe ndaj blerjes së letrave me vlerë, apo borxhit qeveritar.”

Kreu i financave tregon edhe shqetësimin që ka qeveria shqiptare dhe Banka e Shqipërisë lidhur me nivelin e lartë të euro-izimit të sektorit bankar, ndërsa shton se për këtë çështje Shqipëria është duke punuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në muajin mars, Banka Botërore i dha Shqipërisë një kredi në vlerën e 100 milionë dollarëve, për masat që duhet të merren në stabilizimin e sektorit bankar dhe uljes së borxhit.

Tv Klan