Shqipëria kryeson rajonin në rritjen e investimeve të huaja gjatë vitit 2016-të. Në raportin botëror të publikuar nga UNCTAD, vendi ynë rezulton se ka rritur investimet nga jashtë me 179 milion dollarë, (grafik) por këto investime thotë raporti kanë ardhur si pasojë e shtimit të interesit të bizneseve nga Kina.

Raporti i cili analizon të gjitha ekonomitë botërore i jep një hapësirë të veçantë skemës se si firmat kineze po pozicionohen në Ballkan.  

UNCTAD numëron 12 kompani kineze të cilat janë shfaqur në vendet e Europës Juglindore dhe kanë kërkuar të hyjnë në projektet me rëndësi strategjike si ndërtimi i rrugëve, burimet natyrore dhe fushën e fluturimeve dhe porteve detare.

Edhe pse rajoni ka pësuar një rënie me 4.6 miliard dollarë të investimeve nga jashtë, Kina ka “shpëtuar” Shqipërinë. Shembullin e Shqipërisë, UNCTAD e shoqëron edhe me një shkrim të “Forbes” i cili thotë se Shqipëria është bërë tregu më i ri i Kinës.

Por pavarësisht kapitalit të huaj që ka hyrë në vend, viti 2016-të shënoi rritjen më të madhe të largimit të kapitalit vendas. Që nga 2015-ta e deri në fund të 2016-ës, investimet e bizneseve shqiptare të larguara jashtë janë dyfishuar. Një vit më parë 68 milion dollarë të shqiptarëve janë investuar në vendet e rajonit.

/Tv Klan