Në vendim thuhet se nëse ai arrin që brenda 10 ditëve të depozitojë një garanci 175 milion Dollarë pasuria nuk do të sekuestrohet

Gjykata e Apelit në Nju Jork vendosi të shtyjë ekzekutimin e vendimit të gjobës prej 454 milionë Dollarësh ndaj ish-presidentit Donald Trump, nëse ai arrin të depozitojë një garanci prej 175 milionë Dollarësh brenda 10 ditëve.

Nëse garancia depozitohet, kjo do të pezullojë procesin e ekzekutimit të vendimit dhe do t’ia ndalojë Nju Jorkut sekuestrimin e pasurive të kandidatit për president. Gjykata vendosi gjithashtu të rrëzojë masën e dhënë nga gjykatësi i shkallës së parë që ua ndalonte për shtatë vjet Trump dhe djemve të tij, Eric Trump dhe Donald Trump Jr., drejtimin e bizneseve në Nju Jork.

Vendimi i gjykatës së Apelit është një fitore për ish-presidentin, ndërsa ai mbron perandorinë e tij të pasurive të patundshme, që e ndihmoi të hyjë në jetën publike amerikane dhe u dha pak përpara afatit kur prokurorja e Nju Jorkut, Letitia James, pritej të fillonte procesin e ekzekutimit të gjobës.

Ish-presidenti Trump, i cili po ndiqte një tjetër seancë gjyqësore po në Nju Jork për një padi penale për pagesën e bërë për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, deklaroi se do ta respektojë vendimin e gjykatës së shkallës së dytë dhe se do të paraqesë me shpejtësi garancinë e kërkuar prej 175 milionë Dollarësh, brenda afatit të caktuar.

Në komentet e tij, Trump akuzoi qeverinë për përdorimin politik të Departamentit të Drejtësisë dhe i quajti qesharake të gjitha çështjet gjyqësore të hapura ndaj tij.

“Donald Trump ende përballet me llogaridhënien për mashtrimin e tij flagrant. Gjykata tashmë e ka dënuar atë për mashtrime të bëra ndër vite për të fryrë artificialisht vlerën e pronave të tij dhe për t’u pasuruar padrejtësisht ai vetë, familja e tij dhe organizata e tij”, thuhet në deklaratën e zyrës së prokurores.

Nga ana tjetër gjykimi i çështjes së ish-yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels është caktuar në 15 Prill lidhur me akuzat për pagesa parash për të siguruar heshtjen e saj.

Kjo është një gjueti shtrigash. Kjo është një mashtrim,” u tha Trump gazetarëve jashtë sallës së gjyqit.

Avokatët e Trump argumentojnë se pagesa nuk është bërë për të mirën e fushatës së tij politike, por për të kursyer problemet në familje pasi në atë kohë gruaja e tij Melania ishte shtatzënë me djalin e tyre Barron në kohën kur ndodhi afera.

Trump ka mohuar si lidhjen ashtu edhe pagesën, por në vitin 2018, avokati i tij i atëhershëm Michael Cohen u deklarua fajtor për shkeljet e financimit të fushatës federale për kryerjen e pagesës në emër të Trump.

Klan News