Ibrahim Beu, “Pylli i Lirisë”…Halimi, “Rrugicat që kërkoni diell”…Thoma Shpuza, “Kur zbardh një ditë”…

Janë vetëm disa nga dhjetëra personazhet që Demir Hyskja i dhuroi kinematografisë shqiptare . Sot aktori i mbi 100 roleve në kinema dhe teatër nuk jeton më.

Ai u shua në moshën 79-vjeçare, pasi shëndeti i tij u përkeqësua si pasojë sëmundjes së diabetit e tensionit të lartë. Si një nga protagonistët e plejadës se artë të aktorëve, elbasanasi Demir ishte fëmija i vetëm në familjen Hyskja.

Prindërit të cilët i humbi që në moshë të re i lanë një amanet, të shkollohej. Pasi përfundoi studimet në degën e hidroteknikes në Politeknikun dhe punoi për tetë vite si teknik ndërtimi, Demiri iu përkushtua aktrimit.

Pas roleve të para në teatrin Skampa, regjisorët do të kërkonin shërbimin e tij edhe në shumë pelikula të kohës. Filmi më i hershëm është “Ngadhnjim mbi vdekjen” , ku interpretoi rolin e spiunit Zyni Shaqiri, prodhim i vitit 1967.

Karriera si aktor i dhuroi Demir Hyskja-s mbi 25 role të ndryshme në kinema. Ai është një nga protagonistët e një prej realizimeve më të bukura të kinematografisë shqiptare, personazhi i Mytesarifit, te “Nëntori i dyte”.

Përveç dekoratës “Naim Frashëri i klasit të parë”, Demir Hyskja është artist i merituar dhe i popullit.

Tv Klan