maqedoni20 mijë maqedonas kanë rënë pre e përgjimeve të jashtëligjshme të urdhëruara nga kryeministri Nikolla Gruevski. Ky është skandali për të cilin fliste prej kohësh lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev.

Në një konferencë për shtyp, në selinë e Lidhjes Social Demokrate të drejtuar prej tij, Zaev në prani të disa deputetëve të opozitës dhe gazetarëve, publikoi dokumente, transkripte dhe regjistrime zanore, që faktojnë akuzat ndaj kryeministrit Gruevski.

Pre e përgjimeve kanë rënë edhe politikanët shqiptarë Menduh Thaçi e Ali Ahmeti. Nuk është kursyer as ministrja e brendshme Gordana Jankullovska, deputetë, zyrtarë shtetërore, gazetarë e biznesmenë. Sipas Zaev, vetëm kryeministri Nikolla Gruevski e drejtori i shërbimit inteligjent Sasho Mijallkov nuk janë në listën e të përgjuarve.

Kjo sipas kreut të opozitës maqedonase tregon qartë ata janë përgjegjës për përgjimet e jashtëligjshme, në bashkëpunim me kompanitë e telekomunikacioneve. Për këtë arsye, ai premtoi se do të ngrejë shumë shpejt ndaj tyre një padi penale për përgjegjësit. Sipas Zaev, prej të hënës, çdo ditë do të ketë publikim të përgjimeve të individëve të ndryshëm deri në zbardhjen e plotë të tyre.

Në një deklaratë për shtyp përpara publikimit të këtyre fakteve, partia e kryeministrit Gruevski VMRO-DPMNE tha se nuk i trembej të ashtuquajturës “Bombë” të paralajmëruar nga opozita. Por pas publikimit ende nuk ka ansjë reagim.

Tv Klan