Pas disa muajsh debate politike, plani për deportimin e azilkërkuesve në Ruanda tashmë ka hyrë në Parlamentin britanik. Por çfarë ndodh pas kësaj?

Bazuar në ligjin e ri, çdo emigrant që futet në Angli në mënyrë ilegale do të dërgohet menjëherë në Ruanda. Kryeministri Rishi Sunak ka deklaruar se fluturimi i parë për të nisur këtë proces do jetë në Korrik, duke premtuar se vera do të karakterizohet nga një numër i madh deportimesh.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë mbërritur në Britani me gomone vitet e fundit, për dy arsye kryesore, varfëria ose lufta. Ky ligj i ri siç thotë qeveria atje, është për t’i dhënë fund jo vetëm fluksit të madh të emigrantëve, por edhe për të mos i lënë ata të rrezikojnë jetën e tyre apo të bien pre e bandave kriminale.

Sigurisht ka shumë organizata që e kanë kritikuar këtë skemë, duke e cilësuar si “jo njerëzore”.  

Në disa protesta të zhvilluara në Britani për këtë çështje, shihen pankarta ku shkruhet: “Të ndalojë politika e Ruandës!”, “Qeveria britanike nuk pyet për koston e kësaj skeme deportimi”, “Është mizore” etj.

Po pse kjo skemë po dënohet kaq ashpër?

-Në qershor 2022, fluturimi i parë që çonte refugjatët në Ruandë u ndalua në minutën e fundit nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

-Vitin e kaluar, Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar e shpalli të paligjshme skemën e ‘dëbimit’ duke u shprehur se qeveria nuk e garanton dot sigurinë e emigrantëve pasi mbërrijnë atje. Kështu ajo la në fuqi një vendim të Gjykatës së Apelit, duke i konsideruar të gjitha propozimet si të paligjshme.

-Kreu i “Amnesty International” në Mbretërinë e Bashkuar e tha hapur se “Ruanda nuk ka sistem të mirë ligjor për të mbrojtur refugjatët”.

Vlen të theksohet se: Pasi qeveria britanike nënshkroi një traktat të ri me kombin e Afrikës Lindore vitin e shkuar, u miratua Projektligji për Sigurinë e Ruandës. Kjo e fundit përgjithësisht është parë si një përpjekje që Ruanda të paraqitet “destinacion i sigurt”.

Kur do të fillojnë deportimet në Ruandë?

Për t’u miratuar si ligj, duhet pëlqimi nga pala mbretërore. Sunak në deklaratën e tij nuk e specifikoi se sa do të ishte numri i të deportuarve si fillim, por theksoi se nuk ka asnjë rrugë tjetër veç kësaj.

“Fluturimet e para do nisin brenda 10-12 javësh”, tha ai.

Masat paraprake që qeveria ka ndërmarrë:

-Një pistë në gatishmëri dhe avionë komercialë të rezervuar për periudha kohore specifike

-2200 hapësira paraburgimi

-200 punonjës të trajnuar

-25 salla gjyqi në dispozicion për të trajtuar çdo çështje ligjore shpejt dhe me vendosmëri

-500 persona të trajnuar për të shoqëruar emigrantët e paligjshëm deri në Ruandë dhe 300 të tjerë që do të stërviten në javët e ardhshme.

Sa do t’i kushtojë kjo skemë taksapaguesve britanikë?

Zyra Kombëtare e Auditimit, një mbikëqyrës i shpenzimeve publike, ka vlerësuar se skema do t’i kushtojë Mbretërisë së Bashkuar 540 milion £ (669 milion dollarë) për të dëbuar 300 emigrantët e parë. Pra i bie gati 2 milion £ për person. Aktualisht, vendi po shpenzon më shumë se 3 miliardë £ (3.7 miliardë dollarë) në vit për përpunimin e kërkesave për azil, me koston e strehimit të migrantëve që presin një vendim që arrin në rreth 8 milion £ (9.9 milion dollarë) në ditë.

Sa efektive do të jetë?

Shifrat tregojnë se rreth 100 mijë kërkesa për azil ende nuk janë shqyrtuar. Edhe në skenarin më të mirë të qeverisë, skema e Ruandës do të heqë jo më shumë se 5,000 njerëz në vit nga dhjetëra mijëra njerëz të përjashtuar nga sistemi i azilit. Kështu ka deklaruar Enver Solomon (CEO i Këshillit të Refugjatëve).

Për të krijuar një sistem azili të drejtë dhe të kontrolluar, ne kemi nevojë për vendimmarrje të shpejtë dhe të saktë për kërkesat për azil,” tha ai. “Qeveria duhet të ndalojë së humburi kohë dhe para dhe t’i kthehet përpunimit të kërkesave për azil,” shtoi më tej.

Edhe pse duket se rruga për miratimin e projektligjit është shtruar, a ekziston mundësia që organet e drejtësisë ta sfidojnë?

Po! Gjykata e Të Drejtave të Njeriut mund të lëshojë sërish urdhra për të anuluar fluturimet e avionëve me refugjatë. Në fillim të 2024-ës, Presidentja e GJEDNJ Siofra O’Leart tha se “çdo shtet duhet të marrë parasysh urdhëresat e përkohshme të lëshuara nga Gjykata e Strasburgut”. Ajo nënvizoi një detyrim të rregullit 39 që i përgjigjet pikërisht kësaj situate.

Ndërkohë Sunak e ka replikuar duke thënë se “asnjë gjykatë e huaj nuk vendos dot për fluturimet”.

Nga ana tjetër, edhe sindikatat kanë paralajmëruar se mund të ndërmarrin veprime ligjore.

Ekspertët e të drejtave të OKB-së kanë sugjeruar se linjat ajrore dhe rregullatorët e aviacionit mund të bien në kundërshtim me ligjet e të drejtave të njeriut të mbrojtura ndërkombëtarisht nëse marrin pjesë në këtë skemë.

Me zgjedhjet e përgjithshme që priten Janarin që vjen, Sunak parashikon se kjo qasje e ashpër ndaj imigracionit do forcojë pozitën e Partisë Konservatore. E teksa kreu i qeverisë britanike bën plane të tilla, ekziston rrisku i madh që pozita e Mbretërisë së Bashkuar si shtet të dëmtohet nëse Parlamenti nxjerr ligje në kundërshtim të plotë me gjykatat e vendit.

Pavarësisht “shtrëngimeve” të Sunak, duket se refugjatët nuk ndalen në rrugën e tyre drejt brigjeve britanike. Duke marrë parasysh çdo pasojë, ata zgjedhin të rrezikojnë…mbase duke qenë plotësisht të dëshpëruar!

E.D/tvklan.al