Stop Tv Klan | Një format satiro-investigativ nga Saimir Kodra & Gentian Zenelaj.

Si e servir viçin e gjallë një qytetar nga Kukësi?


Një qytetar nga Kukësi i ka vënë vicit një fjongo, duke e paketuar si dhuratë. Një tjetër qytetar shqiptar me banim në Gjermani, i ka bërë reklamë restorantit të tij “te Hakija”, duke hyrë edhe në trotuar.

“Më ka thënë k*rvë, theri edhe qenin ”, gruaja nxjerr burrin nga shtëpia 


Mani Sula,  një qytetar nga Thana, Lushnje tregon për “Stop” në Tv Klan se prej thuajse një viti bashkëshortja e ka përzënë nga shtëpia. Ajo është pajisur edhe me urdhër mbrojtjeje për dhunë dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe qytetari sepse thotë se djemtë e tij, 15 e 17 vjeç dhe bashkëshortja e kanë dhunuar.

Dyshimi i tij kryesor është se djemtë nuk janë të tijtë sepse në martesën e tyre 30-vjeçare fëmijët erdhën pas 12 vjetësh, ndërkohë që mjeku i kishte thënë se ishte steril.

Ish-bashkëshortja Shpresa, mohoi çdo pretendim të zotërisë, ndërsa tha se i shoqi e akuzonte për moral kur ajo punonte në pastrimin e shtëpive.

Gazetarja: Cila ka qenë arsyeja e ndarjes tuaj?

Gruaja: Arsyeja ka qenë nga xhelozia. Më ka bërë mua k*rvë burri im! Unë ikja punoja nëpër të tjerët (pastrim shtëpie), ai më ka bërë mua k*rvë. Ka therur qenin…Nuk më theri dot mua atë natë, por theri qenin. Dhe mua do më therte, po nga ai çun e kam jetën.

Gazetarja: Dhe ai pretendon, se ju keni dashur ta dhunoni, bashkë me fëmijët.

Gruaja: Jo, nuk është e vërtetë, motër. Ai ka 7 muaj, që nuk vjen në shtëpi. Ka ikur vetë nga shtëpia, s’e kam përzënë unë. E ka përzënë gjykata nga shtëpia, më erdhi mua natën, do më vriste me kosore.

Gazetarja: Djali pse i flet me atë lloj gjuhe babait, cila është arsyeja?

Gruaja: Çfarë po i thotë djali, çfarë po i thotë motër? Asnjë lloj gjëje nuk po i thotë.

Gazetarja: Ai ka një video që ju i prisni çizmet…

Gruaja: Ku e ka videon ai? Paska video ai! I paskam prerë unë çizmet. Më vishte mua atletet e mia, atletet e fëmijëve. Pse vesh ai rrobat e mia, pantallonat e mia, atletet e mia? I kam për vete unë. Unë kam ndenjur 12 vite pa fëmijë.

Gazetarja: Pse keni qëndruar 12 vjet pa fëmijë nëse mund t’ju pyes?

Gruaja: Kemi pasur probleme të dy. U vizituam, u kontrolluam të dy, bëra fëmijë.

Gazetarja: Po djemtë i keni çuar në shkollë

Gruaja: Për çfarë do vejë djali në shkollë? Rri mbrapa nënës se rri i ati me thika. Në çdo vend, që vete unë, me fëmijët e mi vete.

Gazetarja: Po atë ditë që ishit në Berat, pse nuk ishin fëmijët tuaj?

Gruaja: Kisha plakun me vete, babanë.

Gazetarja: Po edhe babai aty ishte.

Gruaja: E kisha me vete unë  babanë.

Gazetarja: Po kush ishte ai burri që ishte në shtëpi?

Gruaja: Kush burrë me, ka qenë në shtëpi?

Për sa i përket banesës, zonja thotë se është shtëpia e saj dhe e burrit, por Maniu pretendon se është banesa e motrës së tij. Në kadastër trualli mbi të cilin është ndërtuar kjo shtëpi, është në emër të nënës së zotërisë ndërsa për shtëpinë nuk janë kryer veprime.

Jorjeta Sinjari, specialiste e Shërbimit Social në bashkinë Lushnje, thotë se është në dijeni të rastit. Sipas saj, bashkia Lushnje ofron bonusin e strehimit që do të thotë se Mani Sula do të gjejë shtëpinë dhe do të paguhet nga bashkia derisa të zgjidhet situata.

“S’bëj dot fëmijë, gruaja ngeli shtatzënë pas 12 vjetësh”/Bashkëshorti i dhunuar pajisjet me urdhër mbrojtjeje

Mani Sula tregon për “Stop” në Tv Klan se pas një martese 30-vjeçare, prej gati një viti nuk mund të kthehet në shtëpi por ka mbetur rrugëve të fshatit Thanë në Lushnje. Ai thotë se gruaja e largoi nga shtëpia pasi vjehrri nuk e donte dhe bindi vajzën e tij të merrte urdhër mbrojtjeje për dhunë.

Së fundmi edhe Mani Sula është pajisur me urdhër mbrojtjeje pasi pretendon se është dhunuar nga ish-bashkëshortja dhe djemtë e tij 15 dhe 17 vjeç. Maniu thotë se fëmijët nuk e kanë mbështetur pasi e ëma u ka thënë se ai nuk është babai i tyre i vërtetë. Në fakt këtë dyshim e ka dhe Maniu, pasi për 12 vjet nuk bëri dot fëmijë me gruan.

Mani Sula: Nja dy herë ai çuni i madh më tha “hajde në shtëpi”, por nuk donte as vëllai i vogël, as gjyshi i tyre, as e ëma, bashkëshortja ime.

Gazetarja: Po fëmijët pse nuk donin?

Mani Sula: Nuk donin se i tha bashkëshortja që nuk është babai yt. Unë i rrita ata. Sikur edhe te Shtëpia e Fëmijës t’i kisha marrë, do më donin.

Gazetarja: Ju mendoni se ata nuk janë fëmijët tuaj?

Mani Sula: Nuk janë fëmijët e mi. Po të ishin të mitë, do më donin. Unë kam ndenjur 12 vjet pa fëmijë. Pas 12 vjetësh ra shtatzënë gruaja se unë kam bërë analizat te një doktor atje, më ka thënë mua që nuk je i saktë.

Gazetarja: Që nuk bën dot fëmijë?

Mani Sula: Po, që nuk bën dot fëmijë.

Gazetarja: Dhe pastaj papritur, bashkëshortja ngeli shtatzënë apo jo?

Mani Sula: Po, papritur ngeli shtatzënë. Unë s’i thashë gjë. I rrita, i desha, i mbaja unë ata.

“Ti je intrigante”, shefi i qendrës shëndetësore shkel ligjin, i sulet gazetares

Para pak ditësh në 10 prill emisioni “Stop” në Tv Klan tregoi sesi nga portali “infermierët për Shqipërinë” në Malësinë e Madhe, kanë dalë fitues 37 infermierë që presin për një vend pune. Në Qendrën Shëndetësore të Tamarës, ka dalë një vend vakant më 30 mars 2024.

Përveç këtij vendi, në këtë qendër janë dhe dy infermiere që kanë mbushur moshën e pensionit, por vazhdojnë të rrinë në detyrë. Një vajzë është drejtuar në redaksi duke thënë se është fituese në portal dhe pret një mundësi punësimi. Por infermieret që kanë mbushur moshën mbahen nga drejtuesi i qendrës, i cili nuk shfaqet në punë dhe mban zonjat në fjalë për ta mbuluar.

Vetë shefi i qendrës, mjeku Ardian Këlliçi akuzon gazetaren për shkeljen që ka bërë vetë.

Gazetarja: Për vendet vakante në qendrën shëndetësore të Tamarës, përse nuk i keni shpallur ende si vende vakante?

Mjeku Ardian Këlliçi: Janë shpallur vendet vakante.

Gazetarja: Janë shpallur, kur?

Mjeku Ardian Këlliçi: Janë shpallur vendet vakante dhe herë tjetër mos m’u drejtoni mua fare! Se nuk dua të di për emisionin tuaj dhe jepe publikisht këtë gjë! Dakord?

Gazetarja: Jo, jo ti do më përgjigjesh njëherë mua pastaj do më bësh këto deklarata!

Mjeku Ardian Këlliçi: Unë nuk të përgjigjem fare ty!

Gazetarja: E ke për detyrë t’i shpallësh vendet vakante dhe nuk i ke shpallur zotëri!

Mjeku Ardian Këlliçi: Ti je një intrigante!

Gazetarja: Intrigante unë? Intrigante unë apo ju që nuk shpallni vendet vakante?

Mjeku Ardian Këlliçi: Ti! Ti je një… Një emision satiriko-investigativ i shëmtuar.

Gazetarja: Pse zotëri i nderuar?

Mjeku Ardian Këlliçi: Do të jemi në gjyq bashkë.

Gazetarja: Nuk ishin të vërteta ato që kam transmetuar? Nuk ishin të vërteta?

Mjeku Ardian Këlliçi: Me shërbimin shëndetësor nuk mund të bëni satira ju, duke më denigruar mua, duke punuar 18 orë në ditë!

Gazetarja: Kam një pyetje: nuk ishte e vërtetë që nuki keni shpallur vendet vakante?

Mjeku Ardian Këlliçi: Vendet janë të shpallura vakante.

Gazetarja: Kur kur në faqen publike nuk të rezultojnë si vende vakante dhe NjVKSH ta pranon që nuk i ke shpallur?

Mjeku Ardian Këlliçi: Bëj një shkresë zyrtare dhe drejtohu zyrtarisht tek Operatori!

Nga ana tjetër në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Malësi e Madhe, u mësua se drejtori i Qendrës Shëndetësore të Tamarës e ka dërguar vetëm para një jave shkresën për dy vendet vakante dhe tani pritet nga Drejtoria e Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor të publikohen në portal.

/tvklan.al