Rama si Maduro i Venezuelës dhe nisma e “Stop”: Dita pa Edi Ramën!

Në mbledhjen e komisionit parlamentar të ligjeve, deputetja e PD-së Albana Vokshi tha, se kryeministri Rama është bërë si presidenti i Venezuelës Maduro, duke dalë me orë të tëra në tv.”Stop” kërkoi mbi anë të mundshme të përbashkëta të Ramës e Maduros dhe rezultoi, se fushatat e tyre ngjanin si dy pika uji, që nga autobusët, takimet me njerëz, kritikat ndaj Tramp apo vallëzimet në televizion. Në fund “Stop” shpalli nismën “Dita pa Edi Ramën”.

Shqiptari i akuzuar në Kosovë dhe shkeljet e një procesi (pa)drejtësie.

Emisioni “Stop” transmetoi ditën e sotme rastin e një shtetasi shqiptar, që jeton në Prizren prej 20 vjetësh. Pjetër Boçi rrëfeu kalvarin e tij me sistemin gjyqësor në Kosovë. Ai punon prej 8 vitesh në autoshkollën private “Geni”, e cila fillimisht ka qenë në pronësi të së bijës.

Në vitin 2011, Boçi përfundoi nën akuzë bashkë me 5 persona të tjerë, njëri prej të cilëve ishte person zyrtar, ndërsa të tjerët instruktorë të autoshkollave private.

“Në fillim jemi akuzuar për 4 vepra penale: ‘krim të organizuar’, ‘marrje rryshfeti’, ‘dhënie rryshfeti’ dhe ‘falsifikim dokumentesh’”, tregoi denoncuesi.

Për shkak të mungesës së provave për të vërtetuar që gjashtë pesonat e akuzuar ishin të implikuar në korrupsion aktiv dhe pasiv, çështja u pushua.

Por në vitin 2014, Prokuroria e Prizrenit e rihapi çështjen duke mos patur asnjë provë të re apo vendim për nisjen e hetimeve. Për të njëjtat vepra penale, këtë herë u akuzuan pesë persona, duke përjashtuar personin zyrtar.

Gazetari i emisionit “Stop” shpjegoi se organi i akuzës ofroi një marrëveshje që këta persona ta pranonin korrupsionin, që kishin kryer sipas prokurorisë, në mënyrë që të merrnin masa lehtësuese.

Katër prej tyre e pranuan këtë marrëveshje, por zoti Boçi nuk e pranoi akuzën që iu bë nga Prokuroria e Prizrenit.

Gazetari i emisionit “Stop” iu drejtua këtij institucioni për të komunikuar me prokurorin e çështjes, Medi Sefa.

Gazetari – Si je? Genci Angjellari. Është hapur çështja në 2014-ën, nuk kemi një vendim për prova të reja ose për diçka të re, me të njëjtën vepër penale. Më kupton? Dhe është totalisht në shkelje.

Prokurori Medi Sefa – O zotëri, të kuptoj, vetëm te ju qëndron problemi kështu. Nuk kanë konstatuar, nuk kanë konstatuar në asnjë instancë që ka shkelje.

Gazetari – Provat e dëshmitarit që kemi, unë e kam studiuar gjithë lëndën, gjithë dosjen, nuk kemi diçka që nuk ndikon drejtpërdrejt. Pra nuk kemi një provë, më kupton që…?

Prokurori Medi Sefa – Jo! Për prova, për prova, për prova aspak, se ka dëshmitarë, që biseduam.

Gazetari – Jo! Po s’ka asnjë dëshmitar.

Ndërkohë që avokati Haxhi Millaku tregoi që asnjë nga dëshmitarët që janë propozuar dhe në asnjë përmbajtje procesverbali nuk rezulton se ka veprime inkriminuese.

“Pjetër Boçi, nga analiza logjike e shkresave dhe nga përmbajtja e provave, rezulton se ka qenë një person profesional, që i ka dhënë aftësinë të kandidatëve, pa të drejtë të jetë person zyrtar apo në komisione, të cilat i ka caktuar ministria”, u shpreh avokati.

Vijimi i bisedës së gazetarit të emisionit “Stop” me prokurorin e çështjes…

Gazetari – Ky zyrtar që keni akuzuar, ai ka qenë privat. Unë kam një dokument nga Ministria e Transportit të Kosovës, madje është shikuar dhe në seancat gjyqësore, se unë i kam dëgjuar të gjithë CD e audiove. Nuk është paraqitur nga ju, domethënë, që të vërtetojë që ky Pjetër Boci është zyrtar. Më kupton? Që të bëhet një hetim i pastër.

Gazetari iu drejtua Njësisë Rajonale të Patentë Shoferë Prizren për të pyetur nëse Pjetër Boçi ka qenë ndonjëherë punonjës i këtij institucioni, çka mund ta kishin bërë edhe organet e akuzës. Drejtori i NJRPSH, Agim Kryeziu u shpreh: “Realisht nuk ka punuar te ne. Ai ka punuar në autoshkollë!”

Vijimi i bisedës së gazetarit të emisionit “Stop” me prokurorin e çështjes…

Prokurori Medi Sefa – Kanë qenë 3-4 prokurorë të tjerë që janë marrë me këtë çështje. Unë jam i fundit.

Gazetari – I fundit?

Prokurori Medi Sefa – Dhe kam një respekt të madh. Ai njeri i mirë është shumë në rregull, por ç’ka të bëjmë në gjithë këto instanca këtu? Unë jam palë.

Gazetari- Jo, jo! Ju e keni referuar në fillim.

Gazetari i emisionit “Stop” shkoi po ashtu te Gjykata Themeluese e Republikës së Kosovës për të pyetur rreth kësaj çështje.

Gazetari – Si je? Genci Angjellari!

Kr. Gjykatës Themelore Ymer Hoxha– Hajdeni!

Gazetari – Ne jemi nga Televizioni Klan i Shqipërisë. Interesohemi në lidhje me një çështje që është gjykuar këtu në Gjykatën e Shkallës së Parë ose Themelore, për Pjetër Boçin.

Për shembull në të gjithë vendimet, nuk kemi dokumentin që të vërtetohet që ky zotëri është zyrtar. Nuk ekziston! Dëshmitarët thonë që ne nuk kemi gjë me atë, e njohim si njeri të ndershëm, domethënë janë prova që nuk e rëndojnë pozitën e zotit Boçi për atë çfarë akuzohet.

Kr. Gjykatës Themelore Ymer Hoxha – Po!

Gazetari – Plus pastaj, ka dhe një sërë pikëpyetjesh, është pushuar një herë çështja në 2011-ën dhe është rihapur në 2014-ën, pa asnjë provë të re dhe pa asnjë gjë të re edhe kjo ngre…

Kr. Gjykatës Themelore Ymer Hoxha – Këtë e ka prokurori.

Gazetari- Unë i thashë prokurorit, prokurori tha: E ka gjykata.

Kr. Gjykatës Themelore Ymer Hoxha- E njoh Pjetër Boçin, e kam komshi, ndoshta 1000 metra prej shtëpisë time. E vetmja instancë, i vetmi autoritet që mundet tani ta ndalojë këtë është Kushtetuesja. Asnjë instancë tjetër.

Gazetari – Po, Kushtetuesja për anën proceduriale, po! Respekte, punë të mbarë!

Kr. Gjykatës Themelore Ymer Hoxha – Gjithë të mirat!

Gazetari- Shpresoj të takohemi!

Kr. Gjykatës Themelore Ymer Hoxha – Për të mirë ishalla!

Gazetari – Po!

Kr. Gjykatës Themelore Ymer Hoxha – Ne mundohemi me bo një punë të mirë, po tani…

Gazetari- Mirë, faleminderit shumë! Gjithë të mirat, respekte!

Pas hedhjes së përgjegjësisë nga prokurori te kryetari i Gjykatës Themelore dhe anasjelltas, gazetari iu drejtua Gjykatës së Apelit në Prishtinë.

Gazetari- Unë kërkova prokurorin Sefaj, i cili ka iniciuar të gjithën, ai jashtë kamerave më ka thënë, që “Ai njeri i mirë është shumë në rregull, por ç’ka të bëjmë në gjithë këto instanca këtu? Unë jam palë.”

Kr. Gjykatës së Apelit Hasan Shala – Prokurori i gjykatës?

Gazetari- Prokurori!

Kr. Gjykatës së Apelit Hasan Shala – Edhe thotë ashtu?

Gazetari – Po!

Kr. Gjykatës së Apelit Hasan Shala – A e ke xhiru?

Gazetari – Po, normale!

Kr. Gjykatës së Apelit Hasan Shala – A shumë keq, shumë keq për atë pra, se ai vetvetiu ka ngrit akuzën, ka bo hetimin e të gjitha, me qenë kundër vetvetes…

Gazetari – Po jo, se çështja është pushuar në 2011. Pastaj pa asnjë provë të re, pa asnjë shkak të themi, pa asnjë vendim, është rihapur përsëri. S’e kuptoj ëëë…! Se ok, gaboi prokurori, gaboi Shkallë e Parë…

Kr. Gjykatës së Apelit Hasan Shala – Edhe unë për ata, po them mund të gabojnë prokurori, por mund ta përmirësojë Gjykata e Shkallës së Parë.

Gazetari- Po, po, se i ve detyrën.

Kr. Gjykatës së Apelit Hasan Shala– Po mund të gabojë dhe Shkalla e Parë, mund ta përmirësojë dhe Shkalla e Dytë.

Gazetari – Po prandaj janë shkallët.

Kr. Gjykatës së Apelit Hasan Shala- Po edhe ne nesër në Shkallë të Dytë, edhe ne mund të gabojmë, atëherë Supreme e tkurr.

Duke i konsumuar të gjitha shkallët e gjyqësorit në Kosovë, gazetari i emisionit “Stop” këtë herë iu drejtua Gjykatës Supreme.

Gazetari – Pse nuk është pranuar prova e re?

Gjyqtarja Supreme Nesrin Lusha – Pyeteni kryetarin e gjykatës!

Gazetari – Po jo, kryetari s’ka gjykuar, keni gjykuar ju. Kryetari nuk ka vendimmarrje ose influencë në trupin gjykues.

Gjyqtarja Supreme Nesrin Lusha- Nuk mund t’ju jap unë asnjë përgjigje, unë më së pari, këtu nuk jam i vetmi anëtar i Kolegjit, këtu vendos Kolegji.

Gazetari – Po mundet të ishit shprehur kundër! Dëshmitarët, të cilët ju keni gjykuar, të treja shkallët kanë thënë që zoti Boçi nuk na ka marrë ryshfet, nuk na ka bërë asgjë. Pse e keni marrë të mirëqenë, pse e keni gjykuar si një person zyrtar, kur ky nuk është?

Gjyqtarja Supreme Nesrin Lusha – Sepse ne ashtu kemi konsideruar.

Gazetari – Ok, gjithë të mirat!

Gjyqtarja Supreme Nesrin Lusha- Ditën e mirë!

Sipas sistemit të drejtësisë së Kosovës, gazetari i emisionit “Stop” shkoi pranë Prokurorisë së Disiplinës për të pyetur rreth ankesës së Pjetër Boçit për procedurën që kanë ndjekur prokurorët dhe gjyqtarët e çështjes.

Kreu i këtij institucioni nëpërmjet një shkrese ka komunikuar që nuk ka bazë të mjaftueshme për të hapur një hetim disiplinor për sjellje të pahijshme lidhur me pohimet e zotit Boçi. Por gjatë bisedës me gazetarin, punonjësja e Prokurorisë së Disiplinës pranoi që ka shkelje.

Gazetari – Prokuroria e Disiplinës, çfarë funksioni ka?

Prokuroria e Disiplinës – Ne i hetojmë gjyqtarë dhe prokurorë për shkeljet.

Gazetari – Të gjithë, edhe gjyqtarë dhe prokurorë?

Prokuroria e disiplinës – Po! Për shkelje të mundshme procedurale apo etike që kanë bërë. Më kupton?

Gazetari – E kuptoj!

Prokuroria e disiplinës – Për çfarëdo zvarritje apo neglizhencë.

Gazetari – Ka konstatuar shkelje?

Prokuroria e disiplinës – Ka konstatuar dhe sigurisht që e ka njoftuar.

Pjetër Boçi u shpreh se mund t’i kishte pranuar akuzat që iu bënë padrejtësisht dhe do të përfitonte lirim me kusht apo një gjobë, ashtu si dhe katër personat e tjerë, por ka vendosur që t’i shkojë deri në fund kësaj çështje. Avokati i tij tha se dëmi që i është shkaktuar zotit Boçi është i pallogaritshëm.

Kosovari studioi për infermieri në Tiranë, por nuk i njihet diploma?!

Rilind Sadiku, një i ri nga Kosova, në vitin 2011 deri në 2014-ën, studioi për infermieri të përgjithshme në Tiranë, në shkollën Medikom, duke paguar 2 mijë euro në vit. Por diploma sot nuk i njihet.Në ministrinë e arsimit në Tiranë, Rilindi figuron i regjistruar, por në kolonën e diplomës, nuk ka të dhëna për diplomimin e tij.Në këto kushte ministria e arsimit nuk di të thotë, nëse diploma e tij është ose jo e vlefshme, edhe pse ai e ka kartonin në dorë.