Mario Draghi ka pranuar të marrë mandatin nga Presidenti Sergio Mattarella për të formuar qeverinë e re në Itali. Agjencia e lajmeve Ansa ka raportuar se Draghi është treguar i rezervuar fillimisht për të pranuar detyrën.

“Është një moment i vështirë, por jam i bindur që do të gjendet uniteti”, ishin fjalët e para të tij.

Mattarella vendosi që t’i besojë Draghi-t për të formuar qeverinë e re pas krizës politike që është krijuar nga dorëheqja e Giuseppe Conte-s dhe mos arritja e kompromisit mes partive për një koalicion.

Mario Draghi është një emër i njohur në Itali dhe jo vetëm. Ai ka drejtuar Bankën Qendrore Europiane në momentet më të vështira të saj, gjatë krizës financiare të disa viteve më parë dhe që nga aty ka marrë pseudonimin “Super Mario”.

Draghi u takua me presidentin Mattarella pas kërkesës së këtij të fundit, i cili ka deklaruar se vendi ka nevojë për një qeveri me figura të larta. Mattarella u shpreh të martën se shpreson që qeveria e re që do të krijohet të ketë mbështetjen e parlamentit.

Alternativë tjetër mbeten vetëm zgjedhjet e parakohshme dhe ato kanë pasoja për vendin në mes të një krize të shkaktuar nga Covid./tvklan.al