Mattarella zgjedh Mario Draghi-n për të formuar qeverinë e re italiane



Mattarella zgjedh Mario Draghi-n për të formuar qeverinë e re italiane

09:28 03/02/2021

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, do të takojë ish-kreun e Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, ku pritet që t’i kërkojë të formojë qeverinë e re. Kjo lëvizje e presidentit vjen pasi liderët politikë dështuan që të arrinin në një marrëveshje për një koalicion të ri pas dorëheqjes së kryeministrit Giuseppe Conte javën e kaluar.

Mattarella tha se Italia në këto momente ka nevojë për një qeveri me figura të larta. Zëdhënësi i presidentit konfirmoi që takimi me Draghi-n do të mbahet këtë të mërkurë.

Mattarella u shpreh se shpresonte që qeveria e re të ketë mbështetjen e parlamentit. Ai paralajmëroi që alternativa tjetër e vetme do të jetë mbajtja e zgjedhjeve dhe kjo do ta linte vend në një gjendje pasigurie.

Por që tashmë ideja e Mattarella-s ka hasur në kundërshti. Lëvizja 5 Yjet ka qenë e para që ka thënë se nuk do ta mbështesë një qeveri që udhëhiqet nga Draghi. Këtë gjë e ka konfirmuar një zyrtar i lartë i partisë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Draghi ka drejtuar Bankën Qendrore Europiane gjatë krizës financiare në kontinentin e vjetër. Ai nuk ka komentuar ende për takimin që do të ketë me presidentin.

Politika italiane është në krizë pas dorëheqjes së partisë së Matteo Renzi-t nga koalicioni me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen 5 Yjet. Shkak kanë qenë mosdakordësitë për planin për rimëkëmbjen ekonomike nga Covid-19. Renzi deklaroi se do t’i rikthehej koalicionit vetëm nëse Conte do të pranonte një listë kërkesash.

Por ajo që i vuri vulën krizës ishte dorëheqja e Conte-s. Kryeministri i mbijetoi një mocioni mosbesimi në Dhomën e Ulët dhe Senat, por në këtë të fundit nuk arriti të merrte mazhorancën absolute. Në fund, ai mori vetë vendimin që të largohej nga ky post për shkak të mosformimit të një koalicioni të fortë qeveritar.

Kjo situatë vjen në një kohë, kur Italia është mbërthyer nga koronavirusi dhe kriza më e keqe ekonomike në dekada. Shteti apenin është vendi i gjashtë për nga numri i viktimave nga koronavirusi./tvklan.al







Të ngjashme