Tre persona mbetën të palgosur me thikë, përfshirë një oficer policie, në stacionin Manchester Victoria në Angli. Ngjarja e rëndë ndodhi natën e ndërrimit të viteve dhe sipas autoriteteve britanike ajo po trajtohet si sulm terrorist.

Për ngjarjen është arrestuar një 25-vjeçar, i cili akuzohet tashmë për tentativë vrasjeje. Sipas BBC, në vendin e ngjarjes u gjetën 2 thika, ndërsa oficerët e policisë po kërkojnë një banesë në zonën e Cheetham Hill.

Në një reagim të shkurtër mëngjesin e kësaj të marte, policia e Greater Manchester tha se nuk përjashtonte asnjë pistë sa i përket motiveve të kësaj ngjarjeje. Të tre të plagosurit u dërguan në spital me plagë të rënda, megjithatë pa rrezik për jetën.

Një grua në të 50-at pësoi dëmtime në fytyrë dhe stomak, ndërsa një burrë, rreth të 50-ave, u plagos në stomak. Ndërkohë, oficeri i policisë u plagos në shpatull dhe pasi mori ndihmën e nevojshme mjekësore, la spitalin.

Stacioni i trenave Manchester Victoria qëndroi i mbyllur për disa orë, megjithatë tashmë u rihap duke iu rikthyer normalitetit. Dëshmitarë thanë se e kishin dëgjuar autorin e dyshuar të këtij sulmi teksa thërriste “Allah”, ndërkohë që kritikonte qeveritë perëndimore.

/tvklan.al