Nisja aspak e mirë e kampionatit ka sjellë edhe ndryshimet e para në pankinat e Superligës shqiptare. Renato Arapi është i sakrifikuari i rezultateve negative, me teknikun që është shkarkuar nga stoli i Teutës. Përmes një statusi në rrjetin Facebook, klubi bregdetar ka njoftuar se Arapi nuk do të jetë në pankinë për ndeshjet e radhës.

“Renato Arapi nuk do të jetë trajner i Teutës. Klubi i futbollit dhe trajneri kanë shkëputur marrëveshjen. Falenderojmë Arapin për gjithçka që ka bërë për ekipin tonë dhe i urojmë shumë suksese në të ardhmen”.

Një largim që ka trazuar jo pak ujërat te skuadra durrsake, e cila tashmë duhet të nis punën për të gjetur trajnerin e ri. Në tre ndeshjet e para, Teuta ka grumbulluar dy pikë, pas dy barazimeve ndaj dy skuadrave të ngjitura këtë edicion në Superligë, ekzaktësisht ndaj Bylisit dhe Erzenit. Durrsakët gjenden në vendin e parafundit, duke lënë pas vetëm Kukësin.

Klan News