Menjëherë pas inagurimit si president, Hashim Thaçi takimin e parë e zhvilloi me presidentin shqiptar Bujar Nishani.

Kreu i shtetit shprehu bindjen se gjatë mandatit presidencial të Thaçit arritjet e deritanishme të Kosovës si në plan të brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, do të përmirësohen edhe më shumë.

“Kosova dhe shoqëria e saj, por edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, kanë nevojë për më shumë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.” – u shpreh presidenti Nishani..

Duke vlerësuar partneritetin strategjik mes dy shteteve, Presidenti Nishani i shprehu mbështetjen e fuqishme të institucioneve të Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin e mëtejshëm të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe ato rajonale.

“Kosova e pavarur dhe progresi i saj janë vlerë e shtuar dhe shumë e rëndësishme për paqen dhe sigurinë në rajonin e Evropës Juglindore dhe në nivel global.” – theksoi  Nishani.

Kreu i shtetit e ftoi Presidentin e ri të Kosovës për një vizitë zyrtare në Shqipëri, në një kohë sa më të përshtatshme, pas fillimit të mandatit presidencial.

Tv Klan