Ziu: Duhet kontroll më i madh prindëror ndaj fëmijëve për teknologjinë

Adoleshentët janë grupet shoqërore që po përjetojnë më shumë ngacmime në internet. Sipas një studimi të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë 1 në 6 adoleshentë kanë përjetuar ngacmim në rrjetet sociale. Ky shqetësim ngrihet edhe nga psikologia shkollore Lediona Asabella.

Lediona Asabella, psikologe shkolle: Mund të ndodhi që hapen faqe virtuale nga ato të cilat mund dikë ta kërcënosh apo ta etiketosh dhe pa u marrë vesh se kush je ti që e bën këtë gjë. Kjo i jep një dorë të lirë personave që mendojnë negativisht. Ky dhunim virtual kolektiv për mua është forma më e rënduar sepse kur ne na ndodhin këtu në shkollë dhe sytë tonë janë vigjilentë ne arrijmë të kapim diferencat emocionale të dikujt që ndihet keq, lëndohet, izolohet.

Drejtuesja e gjimnazit “Sami Frashëri” Majlinda Ziu tha se më problematikë ky fenomen është tek nxënënësit 14-15 vjeç.

Majlinda Ziu, drejtore e Gjimnazit ‘Sami Frashëri’: Bullizmi kibernetik nëse i referohemi periudhës së pandemisë kur ne e kishim çdo gjë online që nga ai moment është edhe më i fortë si fenomen. Vëmë re që është më i shprehur tek nxënësit e klasës së Dhjetë. Ky fenomen ka lindur pak më herët, në shkollat 9-vjeçare. Grupet që ata krijojnë, zhvillimi i tyre fizik dhe psiko-emocional për tu dukur, për të dominuar grupin.

Ekspertët thonë se prindërit duhet të kenë një kontroll më të madh ndaj fëmijëve, sidomos sa i përket qëndrimit në internet.

Majlinda Ziu, drejtore e Gjimnazit ‘Sami Frashëri’:Të zënit me punë gjithë ditën me orare të zgjatura bën që koha fizike që kalohet me fëmijët të jetë më e kufizuar dhe duke qenë se këtë kohë e mbushin rrjetet sociale apo shoqëria ka humbur ndoshta pak ai komunikimi direkt me prindërin që ai të dëgjojnë, të ndjejë se çfarë shqetësimi ka fëmija dhe ndonjëherë kjo krijon distancë. Ka edhe prindër që kur vijnë në shkollë befasohen dhe thonë që unë nuk ia kam parë këtë anë fëmijës.

Edhe në shkollat e Shqipërisë bullizimi fizik, por edhe ai online është në rritje. Sipas të dhënave të katër drejtorive rajonale arsimore në vend, bullizmi mes nxënësve është trefishuar, pasi nga 327 raste të raportuara në 2019, në 2023 ishin 1077 raste.

Klan News