Ballkani i etnive, besimeve dhe gjuhëve të ndryshme jeton paqësisht në pikturën e Petar Popochev, artistit maqedonas, që krijimtarinë e tij e prezanton për herë të parë në Tiranë, në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura.

Çdo pikturë është një tregim i rrëfyer përmes simbolikave të besimit të krishterë apo mysliman. Ato nuk qëndrojnë brenda një kornize, sepse për piktorin nuk ekzistojnë kufijtë ndarës, ato e kapërcejnë realitetin, ku frymon çdo ditë njeriu ballkans.

“Jetoj në Ballkan, shumë kultura, ajo greke, romake e myslimane, të gjitha këto përbëjnë një kulturë të madhe, ku dhuna dhe konfliktet janë artificiale. Kolegë, miq të mi janë shqiptarë dhe dua ta them në çdo Ramazan apo Pashkë i çojmë mesazhe urimi njëri – tjetrit. Unë besoj në një rajon, siç është Ballkani, ku ndryshimet në besim apo etni nuk duhet të përbëjnë arsye për konflikt”.

Në pikturën e Petar-it, folklori është një tjetër gjuhë me të cilën piktori kërkon të komunikojë me popujt e Ballkanit.

“E detyroj veten të mos mendoj, sepse besoj se të menduarit gjatë do të më kufizonte në një hapësirë dhe unë dua ta kapërcej atë, që përmes pikturës të shkoj te shqiptarët, grekët e vendet e tjera të Ballkanit”.

Petar Popochev, i cili me Shqipërinë e lidh më shumë se kjo ekspozitë, djali dhe familja e tij që jetojnë në Tiranë, është një dedikim për nipin, të cilit nuk ka mundësi që këto tregime t’ia lexojë çdo mbrëmje.

Tv Klan