Shpallet në kërkim autori i dyshuar për tritolin në banesën e Ilir Koçiljas që vrau fqinjin pas konfliktit për vendparkimin

Eksplozivi i vendosur në banesën e Ilir Koçiljas në Durrës më 26 Shkurt të këtij viti, e ka tanimë një autor të dyshuar. Policia njofton se nga veprimet hetimore është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit me iniciale F.Ll.

Nga verifikimet e kryera rezulton se ai ka dalë nga Shqipëria, një ditë pas ngjarjes. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast është shpallur në kërkim autori i dyshuar, i cili kishte qenë i dënuar dhe më parë për ngjarje të tjera kriminale në Durrrës.

Më herët, policia ka identifikuar një parullë në murin e jashtëm të shtëpisë së Koçilja ku shkruhet “Endacaku Vrasës” që dyshohet se të jetë bërë pak para shpërthimit. Nisur pikërisht nga kjo, grupi hetimor dyshon se vendosja e ekzplozivit të ketë lidhje me ngjarjen e 14 Shkurtit ku Ilir Koçilja vrau me thikë fqinjin e tij Halil Koka pas një konflikti për parkimin e makinës së viktimës në hyrjen para pallatit.

Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, duke shembur një pjesë të murit dhe kangjellat e dritares, si dhe duke shkatërruar thuajse të gjitha orenditë dhe pajisjet që gjendeshin brenda shtëpisë së Ilir Koçiljas.

Forca shpërthyese ka qenë aq e madhe sa ka dëmtuar edhe disa makina që kanë qenë parkuar në rrugë dhe ka thyer xhamat edhe të ndërtesave të tjera përballë. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati të lënduar, pasi në shtëpi nuk jeton njeri, dhe se vetë Ilir Koçilja ndodhet në qeli.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”.


Njoftimi i Policisë:

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 26.02.2024, në lagjen nr. 3, ku një shtetas i paidentifikuar vendosi lëndë eksplozive në banesën e një shtetasi.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u bë i mundur identifikimi i shtetasit të dyshuar si autor i vendosjes së lëndës eksplozive.

Nga verifikimet e kryera rezulton se ky shtetas ka dalë nga Shqipëria, një ditë pas ngjarjes.

Strukturat hetimore te Komisariatit të Policisë Durrës, pas një pune të thelluar hetimore, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, bazuar në këqyrjen e kamerave dhe në inteligjencën policore, kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të vënies së lëndës eksplozive në banesën në pronësi të shtetasit L. K., ku si pasojë e shërthimit pati vetëm dëme materiale.

Nga veprimet e shpejta dhe profesionale hetimore, administrimi i provave në vendngjarje, si dhe këqyrja e kamerave, dyshohet se autori është larguar me një automjet të marrë me qira, drejt lagjes nr. 6.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim autori i dyshuar, shtetasi F. Ll., i dënuar më parë për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Durrësit.

Vijon puna intensive për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”.


/tvklan.al