Spitali i Durrësit është përfshirë disa herë nga zjarri. Por një vëzhgim i emisionit “STOP” tregon se ende nuk janë marrë masat për mjete zjarrëfikëse. 9 vendet, ku duhet të ndodhen këto pajisje, janë bosh. Ermioni Dapaj, kryeinfermiere në spital thotë, se stafi është trajnuar për masat antizjarr, ndërsa inxhinieri tregon se zjarrëfikëset nuk vihen për shkak të vjedhjeve. Por sipas Palodhit, meqë shkoi “STOP”-i në spital, atëherë pajisjet po vihen urgjentisht në funksion…?!

Gazetarja e emisionit “STOP” pyet pacientët, që ndodhen në spitalin e Durrësit, se duke qenë se ky spital është përfshirë disa herë nga zjarri, si do ja bëjnë në rast zjarri. Ata përgjigjen se nuk kanë rrugëzgjidhje tjetër, do t’ju duhet të vrapojnë. Më pas, ajo i drejtohet zyrës së kryeinfermieres Ermiona Dapaj.

Gazetarja – Në spitalin e Durrësit ka rënë disa herë zjarr. Në qoftë se përsëriten këto raste, si është gadishmëria e stafit dhe personelit mjekësor?

Kryeinfermierja – Nga ana e stafit infermieristik që ndodhej në turn atë ditë, që ndodhi dhe zjarri, ishte dhënia e ndihmës maksimale. Trajnimet që janë bërë janë ai në muajin Gusht të vitit të kaluar dhe një trajnim që kemi realizuar me dy përfaqësues të Kryqit të Kuq. Improvizuam rënien e zjarrit në këtë shërbim dhe të gjithë mobilizimin e stafit, të anës infermieristike dhe shërbimin me mjek, të cilët dhanë ndihmën e tyre, në bashkëpunim dhe me shërbimin e zjarrëfikësit të Durrësit, për të shmangur çdo problematikë që mund të silltë rënia e zjarrit në këtë shërbim.

Gazetarja – Përpara se të vijë zjarrëfikësi i Durrësit, a i keni mjetet e duhura për të fikur zjarrin apo për të shmangur rrezikun?

Kryeinfermierja – Spitali i Durrësit disponon hidrantët e ujit, që janë për të fikur zjarrin nga ato pozicione ku nuk ka kabina elektrike, ka edhe bombulat me pluhur karboni. Për sistemin e funksionimit të bombulave me pluhur, stafi është trajnuar edhe nga MKZ-ja e Durrësit, po ashtu dhe një trajnim nga dega teknike që ne kemi shërbim në spital.

Edhe pse kryeinfermierja u shpreh se spitali i Durrësit disponon hidrantët e ujit dhe bombulat me pluhur karboni, ne nuk i pamë gjëkundi. Ndaj, gazetarja iu drejtua specialistit Palodhi.

Gazetarja – Kemi evidentuar se mungojnë hidrantët e fikëses së zjarrit. Pse nuk janë funksionale dhe ndodhen në këtë gjendje?  

Specialisti – Për arsye se shkëmbimi i policisë private, sigurisë, na ha kohë dhe spitali është pa to. Gjatë kësaj periudhe ka ndodhur vjedhja e tyre nga persona që nuk i kemi identifikuar dot. Me ardhjen tuaj, meqënëse ne i kemi gjendje, po i zëvendësojmë të gjitha për gjysëm ore.

Pas ndërhyrjes së emisionit “STOP” u vendosën hidrantet për fikjen e zjarrit, edhe pse na ranë në sy disa kamera sigurie, të cilat duhet të mos jenë funksionale sipas arsyetimit të Palodhit, apo jo?/ tvklan.al