Procedohen në gjendje të lirë 5 vajza nga Venezuela

Konflikti i së martës, ku një vajzë e re nga Venezuela u hodh nga ballkoni i katit të dytë të një godine në Durrës, zbuloi një rrjet prostitucioni.

Policia sqaron se pasi u kryen hetime të thelluara, 5 shtetase të huaja ushtronin aktivitet të paligjshëm prostitucioni në një banesë të marrë me qira, e përshtatur si hotel në lagjen nr. 2.

Sipas policisë vajzat, nga Amerika Latine qëndronin në Durrës që prej një viti dhe përveçse ushtronin aktivitet të paligjshëm prostitucioni, i kishin përshtatur ambientet e banesës që kishin marrë me qira edhe si vend ku përdoreshin lëndë të ndryshme narkotike.

Tashmë këto shtetase të huaja po procedohen penalisht në gjendje të lirë.

Ndërsa në ndjekje penale është vënë edhe një 39-vjeçar nga Shijaku, i cili mesditën e së martës, për motive të dobëta, u konfliktua me njërën nga vajzat nga Amerika Latine, duke e hedhur nga ballkoni mbi një tendë të një lokali.

Në polici, vajza ka mohuar ushtrimin e prostitucionit, po ashtu edhe 39-vjeçari mohon se ka paguar para për të marrë shërbim prej saj, duke deklaruar se kishin krijuar një njohje me njëri-tjetrin prej pak kohësh.

Megjithatë Policia, sqaron se ka prova të mjaftueshme që tregojnë se vajzat ushtronin aktivitet të paligjshëm, duke i kaluar çështjen Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme.

Klan News