Dy vëllezër janë bërë pjesë e rubrikës “Shihemi në gjyq”, për një apartament. Gjergji ka sjellë në këtë seancë ndërmjetësimi vëllain e tij, Fredin, edhe pse historia e jetës së këtij të fundit ka qenë e vështirë, dhe e akuzojnë për humbjen e këtij apartamenti.

“Unë kam sjellë byrazerin, Fredin për arsyen se i sekuestruan shtëpinë,  Zyra Përmbarimore Korçë. Unë dua t’i kërkoj llogari se përse e donte në emrin e tij shtëpinë bashkë me motrën.  Kush i shtyu këta, ndërkohë që Fredi ishte me probleme? Ishte ndarë nga nusja dhe ka një fëmijë. Nuk e di se kush i shtyu, por një ditë më thanë që do ta hedhim shtëpinë në emrin e Fredit.”

Motra e tyre, Andromaqi tregon se në këtë banesë, 52 metra katrorë, jetonte e ëma e tyre dhe Fredi. Ky i fundit thotë se në vitin 2000 është divorcuar  dhe se djalin e tij, Sotiraqin ka mundur ta shohë pas 15 vitesh, pasi ish – bashkëshortja nuk e lejonte ta takonte. Gjykata kishte vendosur që Fredi do të mund ta takonte të birin 2 herë në muaj dhe një detyrim financiar për pensionin e tij, me vlerë 2000 lekë të reja.

“Megjithëse jam me përkrahje sociale, u mundova si prind, aq sa kisha mundësi, të paguaja për djalin. Por ngelën një pjesë pa paguar dhe këtu filloi debati.”

Gjergji ndërhyn duke thënë se Fredi nuk mund ta paguante pensionin për fëmijën e tij, pasi nuk punon sepse është dembel. Gjithashtu e akuzon se edhe përkujdesjen ndaj të ëmës, Violetës e bën me paratë e saj.

“A është e drejtë që djali i madh të kërkojë pjesë kur prindërit janë gjallë

?”, pyet Fredi.

Gjergji përgjigjet duke thënë se ai nuk ka qenë dakord që apartamenti të vendosej në emrin e tij sepse i dinte pasojat.  

Fredi tregon se nuk mohoi pensionin ndaj të birit, por i paguante kur mundte t’i siguronte të ardhurat. Me kalimin e viteve detyrimi u grumbullua dhe arriti vlerën prej 3 milionë lekësh të vjetra, vlerë të cilën ai nuk e siguronte dot njëherësh. Kjo ishte dhe arsyeja që Zyra Përmbarimore sekuestroi apartamentin e prindërve të tij, ku banonte dhe Fredi. Por si të mos mjaftonte kjo, Gjergji kërkon pjesën e tij të shtëpisë, me vlerë 4 milionë lekë të vjetra.

“Ne kishim një çifte, edhe atë ia morën. Tani shyqyr ka pantallonat, t’i ruajë se mos ia marrin”,

shprehet Gjergji, duke i kërkuar pjesën e tij të shtëpisë dhe duke i përmendur faktin që tani qëndron në shtëpi me qira me të ëmën dhe paratë e saj.

Fredi  – Ti, si vëllai i madh, më ke ofruar ndonjë dhomë në shtëpinë tënde? Jo dhe as unë nuk e dua.

Gjergji  – S’duhet ta pranosh.

Fredi  – Po nuk e dua.

Gjergji – Të punojë njeriu për kë? Për atë shtëpi punon gjithë jetën.

Fredi – Jam i zoti ta mbaj nënën vetë unë. Po të duash hajde ta shikosh, po mos të duash … Derën e ke të hapur.

Gjergji  – Të llafosurën e ke prej trimi ti, prej kapedani. Por nga ana tjetër je zero fare.

Fredi – Ky më akuzon mua që i kam vjedhur dhe firmën padrejtësisht që kam marrë shtëpinë se ky në fakt nuk ka dashur.

Andromaqi rrëfen se ajo me dy vëllezërit dhe të ëmën kanë shkuar te noterja më datë 16.08.2014, pasi e ëma e tyre, Violeta dëshironte që shtëpinë t’ia dhuronte Fredit, por Gjergji u largua, duke iu thënë të bëjnë çfarë të duan. Ajo akuzon noteren, pasi e kanë vënë në dijeni të situatës së Fredit dhe ajo ka thënë se nuk mund t’ua merrnin shtëpinë, pasi kontrata e dhurimit mbrohet me Kushtetutë.

Pas 3 ditësh apartamenti u sekuestrua nga Zyra e Përmbarimit dhe për këtë Gjergji shprehet:

“Sepse ishte e planifikuar që shtëpia të merrej”.

 

Juristja Eni Çobani shpjegon se nëse Fredi do t’i drejtohej gjykatës për të treguar se nuk ka mundësi ekonomike për të paguar pensionin ushqimor, pasi është pa punë, situata nuk do të kishte arritur në këtë gjendje. Ish – bashkëshortja e Fredit i është drejtuar Zyrës së Përmbarimit, apartamenti ishte në emrin e tij, ndaj u sekuestrua dhe u shit. Një pjesë e pagesës i është dhënë ish – bashkëshortes për pensionin ushqimor të papaguar nga Fredi , por pjesa e tjetër nuk dihet se ku ka shkuar.

Gjergji tregon se ka qenë ai që i ka treguar noteres për pensionin ushqimor të papaguar dhe se pas përgjigjes së noteres që nuk mund të merret një pronë e dhuruar, është larguar, duke mos firmosur. Pas sekuestrimit të shtëpisë Andromaqi tregon se është rikthyer të noterja, por ajo iu përgjigj që do t’iu rikthehej.

Publiku i “E Diela Shqiptare” ka vendosur që në këtë seancë ndërmjetësimi t’i japë të drejtë Gjergjit, i cili i kërkon pjesën e tij të shtëpisë të vëllait, pasi ai nuk ka firmosur për dhurimin e tij.  

Sipas juristes Çobani, dokumenti i dhurimit të apartamentit lë shumë për të dëshiruar, pasi nuk kanë marrë pjesë me vullnet të lirë të gjithë pjesëtarët e dhurimit të kësaj prone dhe noterja Molla nuk ka vendosur nënshkrimin e plotë të emrit të saj me shkrim dore, duke e bërë këtë dokument të pavlefshëm. Gjithashtu në këtë dokument, dhuruesit dhe pranuesi i dhurimit kanë vendosur vetëm emër dhe mbiemër, për të cilën ka rezerva për shkrimin, por nuk kanë nënshkruar. Ndaj në Zyrën e Regjistrimit të Pronave në Korrcë nuk mund të ekzistojë çertifikata e pronësisë së apartamentit në emrin e Fredit.

“Në bazë të nenit numër 92 të Kodit Civil, ku përfshihen të gjitha veprimet apo aktet juridike, është absolutisht i pavlefshëm! Ka dalë në kundërshtim të hapur me një urdhërim  të ligjit, që është neni 46 i ligjit mbi noterinë”.

Kjo seancë ndërmjetësimi përfundon dhe sugjerimi i juristes Çobani është një kërkesë – padi për konstatimin e pavlefshëmrisë absolute të kontratës së dhurimit, që të rikthehet prona, ndërsa më pas do të zgjidhet me pronarin aktual të apartamentit./

tvklan.al