Maxhoranca do ta miratojë pa votat e opozitës projektligjin për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur si ligji i Vetting-ut.

Edhe pse të hapur për të gjetur dakordësi për miratimin konsensual të draftit, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste është marrë vendimi për ta votuar këtë projektligj, qoftë edhe me votat e të majtëve, 84 votat e nevojshme që maxhoranca i ka për ta miratuar seancën e sotme.

Ndryshe nga sa mendojnë demokratët, për shumicën ligji jo vetëm nuk është antikushtetues, por është i duhuri për të bërë vlerësimin etiko-profesional të çdo të zgjedhuri apo emëruari në sistemin e drejtësisë.

“Kemi qëndrim të qartë për seancën e sotme, shpresojmë të bashkohet edhe opozita që të miratojmë ligjin e Vettingut. Mazhoranca është në unison, shpresojmë ky unison të kapë edhe opozitën. Siç e dini ka pasur kontestime, vërejtje nga opozita,  por për ne nuk qëndrojnë. Kemi miratuar një ndryshim kushtetues që parashikon në mënyrë të pazakontë çdo detaj. Opozita pretendon se është antikushtetues, është e pabazuar, por shpresoj që deri në orët e fundit të ditës t’i bashkohet konsensusit”,

 deklaroi Peleshi.

Në mbledhje ku ishte i pranishëm dhe Kryeministri,deputetët socialistë janë informuar nga kryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi me hollësi mbi përmbajtjen dhe rëndësinë e projektligjit të Vetting-ut, ndërsa kryesocialisti është përqendruar tek çështjet e organizimit të partisë.

Tv Klan