Kreu i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj ka zbuluar disa detaje të reja nga dosja hetimore, që sipas akuzës implikon përfshirjen e deputetit Saimir Tahiri me bandën e Habilajve.

Hajdarmataj:

Unë do preferoja që asnjë nga kolegët e mi të mos ishin pjesë e këtij diskutimi. Për të bërë dallimin e sjelljes etike në këtë sallë. Dje me dyer të mbyllura ne kemi paraqitur të gjitha provat. Sot, e gjithë pjesa mbrojtëse ishte që ta përfshinte në diskutim politik edhe Prokurorinë. Këtu flitet për llum politik, mediatik. Ne kemi një sjellje shumë etike. Sa për të hyrë tek provat, ne kemi biseda të bëra nga dy njerëz pa patur asnjë lloj ndikimi, përgjime që janë bërë nga autoritetet të tjera, pa asnjë lloj ndikimi që implikojnë në mënyrë të vazhdueshme ish – ministrin e Brendshëm duke përmendur ndihmën që ai u siguron. Si ndodhka kështu që pikërisht që gjatë kësaj kohe kur flitet për ish – ministrin e Brendshëm nuk flitet për asnjë njeri tjetër? Gjatë gjithë kësaj kohe, flitet për një prej periudhë 5 mujore, qarkullon po me të njëjtën makinë që qarkullojnë edhe personat nën hetim.

Pas fjalës së Prokurorit Hajdarmataj, mbledhja e Këshillit do të vijojë me dyer të mbyllura pa prezencën e medias dhe pritet që të dalë me një vendim, për heqjen ose jo të mandatit të deputetit të Saimir Tahirit. 

/tvklan.al