Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç ka kënduar disa këngë për nder të Presidentit Erdogan dhe delegacionit turk në një darkë të shtruar në Beograd.

“B92” raporton se videot e ministrit të jashtëm duke kënduar janë shpërndarë në rrjetet sociale.

Në një prej videove shfaqet Daçiç teksa i afrohet tryezës ku ndodhej Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç sëbashku me bashkëshortet. Kënga që ai dëgjohet të këndojë në turqisht është “Osman Aga”, një këngë e kënduar në shumë vende ballkanike, përfshirë edhe Shqipërinë.

Në një tjetër video Daçiç shfaqet teksa këndon këngën serbe “Miljacka” dhe teksa ‘merr bakshish” nga myftiu i Beogradit, Mustafa Jusufspahic.

Kjo nuk është hera e parë që ministri serb performon në publik – verën e kaluar gjatë vizitës në Greqi ai këndoi në qreqisht dhe rusisht, ndërsa edhe gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Beograd ka kënduar “O sole mio”.

Gjatë darkës Presidenti Erdogan dhe Vuçiç shkëmbyen dhurata. Erdogan dhuroi një kuti shahu dhe një biçikletë dhe mori një qilim nga homologu Vuçiç.

Presidenti Erdogan shoqërohej nga një grup i madh biznesmenësh dhe nga 8 ministra në vizitën e tij dy-ditore në Serbi, ku palët ranë dakord për një sërë marrëveshjes për ngritjen e fabrikave dhe financimin e autostradës që lidh Beogradin me Sarajevën. /tvklan.al