Më 7 Dhjetor 2016, emisioni “Stop” transmetoi problematikën e skelave në zonën e Shallvareve në Tiranë. Në krahun tjetër të rrugës, sot, në Janar 2018 rezulton e njëjta problematikë. Banorët dhe ata që kanë biznese në këtë zonë ankohen sepse kjo problematikë i shqetëson shumë.

Ata thonë se skelat kanë tre muaj që janë vendosur, por ende nuk ka nisur lyerja e fasadave të pallateve.

“Nuk jemi kundra që të bëhen investime publike, por të zgjidhni një kohë tjetër. Na kanë pezulluar punën prej 21 ditësh, nuk hyn njeri sepse është normale që poshtë një skele të gjithë të kenë frikë të kalojnë. Ky është shkelm në fyt! 21 ditë nuk hyn asnjë blerës në dyqan”,

u shpreh një grua që ka biznes poshtë skelave.

Dëmi ekonomik që i është shkaktuar personave që posedojnë biznese në këtë zonë nuk është i vetmi shqetësim, pasi Bashkia Tiranë nuk ka vendosur asnjë roje për të ruajtur skelat. Çdo person mund të hipë në skela dhe të hyjë në shtëpitë e banorëve për të vjedhur, çka e provoi edhe emisioni “Stop” dhe ishte mjaft e lehtë.  

Emisioni “Stop” u rikthye pas një viti në zonën e Shallvareve për ta risjellë këtë problematikë, e cila është zhvendosur në krahun tjetër të rrugës. Prej 3 muajsh janë vendosur skelat, duke shqetësuar banorët e pallateve dhe pronarët e bizneseve, por ende nuk ka nisur lyerja e fasadave.

Kalimtarët gjithashtu preken nga ky shqetësim, pasi u duhet të ndjekin rrugën e makinave për të shkuar në destinacionin e tyre, çka i vendos jetën në rrezik.  

“S’kemi ku kalojmë aty. Çfarë të bëjmë?”

u shpreh një kalimtare, e cila shtynte një karrocë me fëmijë.

Të gjithë ngelen në pritje derisa të përfundojë lyerja e fasadave për të vazhduar jetën e tyre normalisht./

tvklan.al