Para disa ditësh drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, u la në arrest shtëpie me akuzën se eksportoi të dhënat e sistemit TIMS. Ndaj tij është ngritur akuza “hyrje e paautorizuar kompjuterike” nga Prokuroria e Tiranës.

Se pse një individ duhet të ketë të gjitha të dhënat e hyrje-daljeve nga territori i Republikës së Shqipërisë është një pyetje që e ngriti në studion e emisionit “Opinion” edhe Blendi Fevziu. Ky rast sipas tij është i pashembullt.  

Blendi Fevziu: Për të bërë një shpjegim të vetëm për publikun që nuk kupton. Ka një kallëzim që në Gusht të vitit të kaluar. I gjithë sistemi TIMS, i hyrjeve, i daljeve së pasaportave biometrike, shërbimeve të bëra mbi çdo person është tentuar të kopjohet me një hard disk të jashtëm nga një drejtor i cili kishte kopjuar edhe kur kishte qenë në Tatime, kishte bërë të njëjtën gjë. Tani se pse një person në territorin e Republikës së Shqipërisë tenton të marrë gjithë këtë informacion tejet të detajuar ku janë shenjat e gishtërinjve, elementët biometrikë të dokumentet të identifikimit është e pashembullt. Unë e kam lexuar dokumentin e plotë që nuk është bërë publik. Janë marrë dhe dyshohet që edhe mund të jenë larguar nga Shqipëria, megjithëse prokuroria thotë për momentin jo, por dyshohet. Çdo njeri që ka hyrë dhe ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë në mirëbesim të plotë të administratës shtetërore shqiptare sot i ka të dhënat e tij, pasaportën, hyrjet-daljet, të dhënat biometrike i ka në hard diskun e një personi.

Spartak Koka: Kjo është një gjë që amerikanët që e kanë ndërtuar atë sistem dhe ia kanë dhuruar qeverisë shqiptare kishin një mendim totalisht të ndryshëm dhe nuk e perceptonin dot, të paktën në takime informale se si ky skandal i madh po tentohej të zhbëhej apo relativizohej./tvklan.al