Asambleja e Këshillit të Europës ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Raporti i raportueses Dora Bakojanit mori 131 vota pro dhe 29 kundër në Asamblenë e KiE.

Për të treguar emocionet e para të këtij votimi në një lidhje direkte në Klan News ishte edhe Blerina Gjylameti e cila mban postin e zëvendëspresidentes së Asamblese së Përgjithshme të Këshillit të Europës.

Gjatë fjalës së saj Gjylameti e quan një emocion të papërshkrueshëm dhe një moment historik këtë ditë. Ajo u shpreh se sot lajmi më i mirë është për të gjithë qytetarët e Kosovës që do të kenë më shumë të drejta të respektuara.

Blerina Gjylameti: Një emocion i papërshkueshëm që mezi e prisnim këtë moment kaq historik që në fund edhe pse për nga pjesa e gjeografisë ishte në mes të Europës të jetë edhe në Këshillin e Europës për të qenë një çadër për të gjithë të drejtat e qytetarëve kosovarë, pavarësisht dhe kjo duhet thënë, pavarësisht kombësisë që ka. Jemi shumë të lumtur jo vetëm unë, por i gjithë delegacioni shqiptarë. Unë së bashku me delegacionin që përfaqësoj kemi pasur një koordinim me delegacionin kosovar për të arritur që çdo angazhim i joni të ishte në funksion të marrjes së një mbështetje më të madhe dhe sot përmes votave treguam që ja dolëm gjithë së bashku. Sot lajmi më i mirë është për të gjithë qytetarët e Kosovës që do të kenë më shumë të drejta të respektuara. Shpresoj shumë që ky lajm të shkojë si një mesazh i fortë që një moment kaq historik edhe për vetë Europën apo edhe më të gjithë situatën që ne kemi kudo qoftë me pjesën që ndodh në Ukrainë, qoftë me konfliktet në Lindjen e Mesme të jetë një tjetër mesazh që ky institucion që është ngritur për paqe dhe siguri të vijojë të përcjellë mesazhet e tij për paqe, më shumë siguri dhe stabilitet dhe ku më mirë se me Kosovën.

-Patët në ndonjë moment frikë se mund të kishte një votim tjetër për shkak të debateve që pati me përfaqësuesit e serbisë apo draftopinioni i Bakojanis gjithashtu edhe mendimet e të pranishmeve gjatë ditës duket se në fund do të finalizoheshin me ‘tym të bardhë’ për Kosovën, thënë kështu figurativisht?

Blerina Gjylameti: Ne jemi mësuar që gjërat nuk i marrim shumë lehtë dhe nga ana tjetër mes shumë vështirësive gjithmonë për të marrë atë që na takon. Sot i patëm të gjitha meraqet, por kjo ishte mbledhja e tretë që u bë paradite për draftopinionin e zonjës Bakojanis që dua ta falenderoj këtu edhe publikisht për punën që bëri edhe pse një punë e vështirë me akuzat që ka pasur vazhdimisht për t’i treguar se po mbante anë në raportin e saj ndërkohë që ishte një raport tërësisht i balancuar që morri miratimin e shumicës së anëtarëve prezentë në komitetin politik dhe po ashtu sikur e patë me këtë votim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, por meraku gjithmonë qëndron, skepticizmi për shkak edhe të situatës gjeopolitike që është në Europë. Besoj unë që e rëndësishmë është që t’i japim atë që i takon çdo institucioni.

Ndër të tjera Gjylameti është shprehur se i është dashur që të përmbajë pjesën e emocioneve gjatë debateve në asamble, pasi siç ajo thekson më shumë rëndësi ka rezultati sesa diskutimet e bëra

Blerina Gjylameti: Më është dashur shumë të mbaj pjesën emocionale sepse shpesh kur dëgjon që ai që është fajtori që ka qenë iniciuesi, që ka shkaktuar dëme akuzon palën tjetër kjo është një gjuhë e urrejtjes të cilët ne politikanët e rinj dhe nga ana e kolegëve serb ka një pjesë të madhe që janë të rinj, ta dëgjosh është tërësisht e papranueshme dhe të mos reagosh pastaj është tërësisht e pamundur. Duke qenë se për ne ka më tepër rëndësi të ecim para dhe qytetarët e Kosovës të kenë të njejtat të drejta si çdokush tjetër në Europë më është dashur të përmbahem dhe të pres me padurim derisa raporti i Bakojanis të na dorëzohet të mos vazhdonim me debate sepse ka më shumë rëndësi rezultati sesa diskutimi. Unë besoj shumë që edhe kolegët serb do të reflektojnë dhe nuk do të duhet ta përdorin këtë institucion për kapital politik.

Ndërkohë sa i takon votave kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, Gjylameti u shpreh se ata ishin vota të deklaruara edhe pse delegacioni shqiptarë dhe ai kosovar tentuan të bindin këto deputetë, ku përmendi edhe deputeten e Malit të Zi e cila votoi kundër.

Blerina Gjylameti: Skepticizmi edhe për shkak të situatave ka filluar të rritet, por po ashtu edhe populizmi të cilat çojnë shumë më tepër në përçarje se sa në bashkëpunim. Votat kundër ishin të gjitha pothuajse vota të deklaruara. Tentuam shumë për të folur secili prej nesh qoftë edhe Nikoll Camaj me kolegen e tij të Malit të Zi për të ndryshuar mendim dhe për të folur për argument sepse në fund siç kemi thënë mos dëgjoni zërin e deputetëve të Kosovës, por lexoni me vëmendje raportin dhe gjithashtu të dy juristët që dhanë mendimin për përputhshmërinë e kërkesës së Kosovës, kështu që në këtë aspekt nuk kishim asnjë surprizë./tvklan.al