Në këtë foto është Besnik Pudja, i cili 10 ditë më parë u gjet i vdekur në një magazinë, në fshatin Shëngjergj të Tiranës.

Këto janë pamjet e para pasi 36 – vjeçari u gjet i vdekur me një plumb në kokë, të siguruara nga Televizioni Klan.

Ai duket i shtrirë dhe duart i ka të vendosur në pjesën e barkut.

viktima-shengjergj2

Gishti tregues i dorës së majtë është i harkuar, siç mbahet në këmbëzën e armës, çka sipas ekspertëve të Kriminalistikës tregon se ai ka patur në dorë një armë përpara se të ndërronte jetë.

Pranë trupit, në mes të këmbëve, i është gjetur një pistoletë TT. Ekspertiza balistike pritet të vërtetojë nëse është ajo arma me të cilën është qëlluar ai.

viktim-shengjergj1

Prokuroria e Tiranës e ka regjistruar ngjarjen si vrasje. Ndërsa policia nuk përjashton versionin e vetëvrasjes.

Hetuesit janë duke pritur nga Policia Shkencore raportin balistik të armës dhe raportin e Mjekësisë Ligjore.

Agles Liçi dhe Dritan Buzo, që kanë qenë prezentë në momentin e ngjarjes, i kanë thënë policisë se ai është qëlluar vetë me pistoletë. Ai ka hyrje dhe dalje të plumbit pas veshit të djathtë dhe në sy.

Plumbi që i ka marrë jetën ka kapur Alges Liçin në krahun e majtë.

viktima-shengjergj

Prokurorët dyshojnë për vrasje, pasi në vendin e ngjarjes kanë gjetur edhe dy gëzhoja kallashnikovi dhe kanabis sativa.

Policia i ka ndaluar Liçin e Buzon për moskallëzim krimi. Është arrestuar edhe Halit Dusha, për kultivim të kanabisit.

Ekspertiza mjeko – ligjore dhe ajo balistike pritet të japin hollësi të tjera, të cilat, bashkë me provat dhe dëshmitë e të arrestuarve, pritet të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes, nëse është ekzekutim apo vetëvrasje.

Tv Klan