PS shpjegon arsyet e dërgimit për opinion

Për herë të dytë Komisioni i Venecias do të duhet të japë opinionin e tij lidhur me Vettingun e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Por kësaj here vetëm për një nen të vetëm kushtetues, ku parashikohet mandati i organeve që kryejnë këtë proces, mandat që përfundon në Qershorin e vitit të ardhshëm.

Në Kushtetutë është parashikuar që pas këtij afati procesin e Vettingut për gjyqtarët ta kryejnë Këshilli i Larte i Gjyqësorit ndërsa për prokurorët Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Por socialistët kërkojnë që edhe për 2 vjet të tjera, pas përfundimit të afatit kushtetuese, të jenë sërish Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit  dhe ai i Komisionerit Publik.

Këshilli i Legjislacionit, në mbledhjen e të premtes ku ishin prezent vetëm përfaqësuesit e shumicës, e miratoi vendimin, duke patur vetëm abstenimin e Fatmir Xhafajt.

Arsyeja përse socialistët kërkojnë të marrin një opinion të dytë nga ekspertët e Venecias sipas burimeve nga mazhoranca, lidhet me faktin sepse ndryshimi i propozuar prej tyre prek një nga shtyllat e Reformës në Drejtësi.

E duke qenë se “Venecia” ka dhënë 2 opinione mbi standardet e Vettingut që ndryshonin ne dokumentin e ndërmjetëm nga opinion final, atë mendojnë se është i nevojshëm një tjetër opinion që qartëson nëse shtyrja e mandatit të këtyre organeve është në një linjë me standardin që rekomandon Komisioni.

Në Tetor të 2016 ishte Partia Demokratike që iu drejtua këtij komisioni për opinion po për Vettingun në drejtësi.

Tv Klan