Si sot 146 vjet më parë ka lindur në fshatin Fishtë të Zadrimës një nga personalitetet më të shquar të letrave shqipe, At Gjergj Fishta.

I cilësuar ndryshe si Homeri i Shqipërisë, Fishta njihet edhe si poeti ynë kombëtar pasi ka shkruar të parën dhe të vetmen poemë epike në letërsinë shqipe, “Lahuta e Malësisë”

Ai, më shumë sesa si shkrimtar është dalluar, për kontributin e tij patriotik në mbrojtje të gjuhës shqipe.

Në vitin 1902 Fishta u bë drejtor i të gjitha shkollave françeskane në Shkodër dhe i pari që futi shqipen si gjuhë mësimi.

Ndërsa më 1908 ai ishte Kryetar i Kongresit të Manastirit, ku u vendos alfabeti që ne kemi sot.

Gjatë regjimit komunist Fishta u cilësua si një shkrimtar i ndaluar dhe vepra e tij mbeti e harruar për shumë vite. Por pas viteve ’90, vepra e tij filloi të studiohej dhe ai zuri vendin që i takon në  letërsinë shqipe.

Por edhe 27 vjet pas rënies së regjimit komunist, dhe kërkesave të shumta, shtëpia e Gjergj Fishtës nuk është kthyer akoma në muze. Iniciativat nga Ministria e Kulturës nuk kanë munguar, por ato kanë hasur në mos dakordësinë e pasardhësve te Fishtës, dhe ka mbetur peng i problemeve të pronësisë.

Klan Plus