30 mijë Euro shpërblim për këdo qytetar që jep informacion për autorin e vendosjes së tritolit në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Stërkaj.

Kjo shumë është vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit, e cila 3 ditë pas regjistrimit të kësaj ngjarje nuk ka ende asnjë gjurmë nga personi që vendosi sasinë e lëndës plasëse mëngjesin e së dielës.

Sulm ky që fatmirësisht shënoi vetëm dëme materiale dhe jo në njerëz.

Thirrjes për bashkëpunim me qytetarët, autoritetet i kanë bashkangjitur dhe pamjet filmike të momentit kur personi ende i paidentifikuar vendos sasinë e tritolit në derën e shtëpisë së gjyqtarit.

Për këtë sulm të paprecedentë një ditë më parë KLGJ-ja vendosi marrjen në mbrojtje për të paktën 6 muaj të gjyqtarit, Tonin Stërkaj dhe familjes së tij.

Ndërkohë reagime pati dhe Bashkimi Europian, magjistratët dhe vetë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili kërkoi nga policia zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes.

Deri në këtë fazë, policia po heton pistën e një sulmi të mundshëm për shkak të detyrës, duke qenë se vetë gjyqtari ka mohuar të ketë konflikte.

Tv Klan