Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka folur për projektet e mëdha infrastrukturore që pritet të marrin jetë në këtë mandat të tretë të tij si dhe për shumë nga punët e tjera që tashmë kanë marrë formë. Përmes një interviste për Klan Neës, ai tha se fokusi është te përfundimi i 5 unazave që do bëjnë të mundur një qarkullim më të lehtë të automjeteve në kryeqytet.


“Sigurisht kanë mbetur dhe 3 vite e gjysmë për ta mbyllur këtë mandat, megjithatë çdo ditë ka vlerë. Para se të dilja këtu në ballkon, kishim një mbledhje teknike për 3 copat e mbetura të unazës, një e Unazës së dytë që është pjesa nga Sauku në Shkozë dhe besojmë që ka një mundësi të jashtëzakonshme për të bërë atë lidhje. Kemi gjetur një mundësi se si në rrethrrotullimin e Saukut ajo të lidhet me Shkozën dhe praktikisht kemi një autostradë të nivelit të lartë që është rruga nga TEG-u në Shkozë, tjetra nga ana tjetër e liqenit të Farkës, për t’u siguruar që një pjesë e madhe e pjesës verilindore të Tiranës të urbanizohet dhe të hapë mundësi të jashtëzakonshme për rritjen e vlerës së pronës dhe qarkullimin e qytetit. Unaza e katërt, është ajo që fillon te rruga Dritan Hoxha, shkon midis universitetit Zonja e Mirë dhe çan te rruga Ndre Mjeda për të dalë në Rrugën e Kavajës që komplementon edhe ajo një aks shumë të rëndësishëm të qytetit. Është dhe ajo që quhet unaza e vogël, që është e papërfunduar te Drejtoria e Policisë te Myslim Shyri për të dalë te Rruga e Kavajës, ka një pjesë shpronësimesh, por e kemi luksin që këtë mandat të fokusohemi te këto 3 lidhje të rëndësishme të qytetit duke qenë se ka mbaruar një pjesë e punëve. Unaza e 5-të tashmë po punohet në të 7 lotet. Sheshi Shqiponja në 2/3 është i hapur, Bulevardi i Ri ka filluar të marrë jetë. Pjesa e Astirit është rezauruar dhe ka mbaruar debati, po kështu dhe te “5 Maji”. Sheshi “Skenderbe” ishte dilema e parë që u zgjidh. Pra në fazën ku jemi, ambicia është që në 3 vitet e fundit, ne të sigurohemi që edhe këto copëzat e vogla të këtij pazëllit të madh të Tiranës të jenë në vendin e duhur.”

Veliaj vuri theksin dhe tek investimet në zonat periferike.

“Periferia është një nocion në lëvizje. Sot periferia konsiderohet Zallbastari, Krraba, Kashari dhe Ndroqi. Një pjesë e madhe e investimeve do shkojnë për këtë lloj periferie. Përshembull një bypass që lidh direkt pjesën e Lundrës që tashmë është super populluar. Një pjesë e popullimit vjen nga rezidenca private, por janë 4 shkolla aty, 2 qendra tregtare dhe ndërkohë është dhe terminali juglindor. Zona e Lundrës është bërë një zonë periurbane. Projekte si tek Astiri, te Liqeni i Thatë, si tek Fresku, si në Zallherr. Nuk them që çdo gjë në Tiranën qendrore është perfekt, por pjesa më e madhe e infrastrukturës ka marrë drejtim.”/tvklan.al