Orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Lezhë – Shkodër dhe në atë Peqin – Elbasan , kanë ndodhur dy aksidente me pasojë 2 viktima , ku njëri prej të tyre, fëmijë 11 vjeçe. Përveç aksidenteve të mësipërme, janë regjistruar këtë mëngjes edhe aksidente të tjera, me pasojë plagosje si dhe vetëm me dëme materiale.

Duke marrë shkas nga to, Policia Rrugore thotë se në ndodhjen e aksidenteve, përveç kushteve të këqija të motit, ndikim ka patur sjellja e drejtuesve të mjeteve. Në një njoftim për mediat, policia rreshton disa prej tyre si;

– Humbja e kontrollit

– Tejkalimi i shpejtësisë

– Mospërdorimi i rripave të sigurimit

Sa më sipër, Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes maksimal gjatë udhëtimit:

– Të ruajnë kontrollin e mjetit dhe të kryejnë manovra të sigurta

– Të qarkullojnë me shpejtësi konform segmentit rrugor dhe sinjalizimit përkatës

– Të përdorin rripat e sigurimit në mjete, kaskot mbrojtëse në motorrçikleta

– Të mos përdorin aparatet celulare gjatë drejtimit të mjeteve

– Të mos përdorin pije alkoolike në rast drejtimi të mjeteve

– Të bëjnë kujdes me këmbësoret që kryejnë kapërcimin e rrugës jashtë rregullave të qarkullimit rrugor.

-Karvanet me makina të dasmorëve të respektojnë rregullat e lëvizjes, të mos parakalojnë, dasmorët të mos dalin nga dritaret pasi bëhen burim aksidenti.

Për shkelësit e normave të sjelljes gjatë drejtimit të automjetit, Policia Rrugore do të marrë masat administrative maksimale ndaj tyre.

Policia Rrugore është në detyrë me patrulla dhe shërbime të përforcuara për të ndihmuar në kthimin e sigurt të drejtuesve të mjeteve, për të normalizuar trafikun, për t’ju ardhur në ndihmë në rast nevoje, për të parandaluar aksidentet, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore./tvklan.al