Plagosen 2 shtetas, kryekomunari i shpëton plumbave

Ky është vendi ku kryetari i komunës së Haraçinës në Maqedoninë e Veriut, Ridvan Ibraimi ra pre e një atentati me armë. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së hënës, në momentin ku Ibraimi po inspektonte punimet në rrugën e kryesore të komunës.

Një person ka zbritur nga makina duke qëlluar mbi 20 herë me armë drejt tij. Sipas Ministrisë së Brendshme të shtetit fqinj, të plagosur mbetën dy shtetas, nëpunësi Eshtref Selimi dhe Adnan Ajdini, djali i shoferit të kryetarit të komunës.

21-vjeçari, Ajdini ka marrë shumë plagë në trup edhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Ndërsa edhe 39-vjeçari Selimi është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur hetimet dhe kontrollet për kapjen e autorit, ende i paidentifikuar. Ndërsa ende nuk dihet motivet e kësaj ngjarjeje.

Kjo nuk është hera e parë që Ibraimi sulmohet fizikisht dhe kërcënohet me jetë. Në Shtator të dy viteve me parë, ai u godit nga disa persona. Ndërsa në Maj të vitit të kaluar pas kërcënimeve me jetë që mori, komuna e Haraçinës mbylli për disa ditë shërbimet.

Tv Klan