Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka zhvilluar një bisedë me studentët e arsimit të lartë. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se sapo të marri detyrën si kryeministër do të hedhë në plehra Ligjin për Arsimin e Lartë.

“Në radhë të parë dua t’ju përshëndes nga zemra për kurajon që keni treguar në këtë protestë që ka hyrë në natën e pestë, derisa shqiptarët të fitojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Një vendim i madh u mor të shtunën dhe këtë lezet ia dha pjesëmarrja e të rinjve shqiptarë. Jo në emër të PD, por si qytetar dua t’ju shpreh mirënjohje për qëndresën tuaj. Dua t’ju garantoj se këtu nuk jam si politikan, por si ushtar dhe qytetar i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Këtu jemi të gjithë bashkë për të marrë një vendim që Shqipëria të mos jetë njësoj si më parë. Nuk do të pranojmë parlament fasadë para të cilit fshihen krimet dhe korrupsioni. Kurrë më nuk do të pranojmë këtë republikë të kalbur në themel. Do i kthejmë popullit lirinë, qeveria teknike është vetëm stacioni i parë.

Së bashku po hedhim themelet e një Shqipërie tjetër, e cila nuk duhet të ketë asnjë gjë të përbashkët me republikën e drogës, korrupsionit, ku një grusht politikanësh dhe oligarkësh kanë shtënë në dorë pushtetin dhe pasurinë dhe i kanë vënë shkelmin në fyt. Vjedhin pasurinë e vendit dhe e kanë zhytur Shqipërinë si asnjë herë më parë.

Jemi këtu të vendosur për ta hedhur nga themelet këtë ngrehinë ta kalbur dhe të korruptuar. Kush ka nostalgji apo dëshiron të jetë pjesë e regjimit të vjetër ta dijë se do na ketë përballë. Ne nuk do ndalemi deri sa ta shembim republikën e krimit, ne nuk tërhiqemi deri në fitore. Miqtë tanë nga Brukseli, Uashington dhe kudo që janë, na kanë mbështetur. Nuk ka europian që u thotë shqiptarëve mos besoni në zgjedhje  të lira.

Shqiptarët do i braktisnin meduzat mashtruese. Jam këtu me studentët për t’u thënë se unë do kisha nderin t’u shërbeja për të qenë kryeministër. Orën time të parë do firmos Ligjin e Arsimit të Lartë. Ligji që vjedh shqiptarët, duke rritur tarifat. Ne nuk do pranojmë kurrë që vendimet për arsimin e lartë t’i marrë ministrja e salcës, e cila nuk ka arsimin e duhur, por vendimet do i marrin njerëzit që janë të aftë dhe të kualifikuar./

tvklan.al