Nga Cërriku ku u takua me të rinj dhe banorë të zonës, kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha apeloi për krijimin e një aleance të madhe qytetare kundër drogës e krimit në pushtet, të kthyer në kërcënimin më të madh për vendin.

Kreu i PD, Lulzim Basha:

“E zeza që kemi përballë shkon përtej përballjes tradicionale mes të djathtës dhe të majtës. Përballë kemi krimin, korrupsionin, arrogancën e paimagjinueshme që prej kohës se diktaturës, që jo vetëm të vjedh e të poshtëron por pastaj edhe të tall dhe të përqesh. Ndaj është koha e një bashkimi të madh e një aleance të madhe qytetare. Partia Demokratike është gati dhe ne se nisim marshimin tonë pa kthim për përmbysjen e tiranisë së krimit dhe varfërisë,  dhe kthimin e Shqipërisë në një vend normal ku qeveria iu shërben njerëzve dhe jo anasjelltas”.

Basha tha se mijëra qytetarë, që i besuan Edi Ramës tre vite më parë se nuk do të sillte plehrat në Shqipëri, sot ndihen të tradhtuar.

Ndërsa e ashtuquajtura Rilindje Urbane sipas tij tregoi se ishte një projekt për të mbushur xhepat e qeveritarëve, pasi në 3 vite asnjë investim serioz nuk është kryer nga kjo qeveri./ TV KLAN