“Buka n’strajc” është nisma me e re bashkisë së Tiranës, e cila synon të nxisë të ushqyerit e shëndetshëm për fëmijët. Kryebashkiaku Veliaj  teksa u shërbeu një grupi fëmijësh ushqim bio me prodhime vendase, u bëri apel prindërve që të përdorin sa më shumë ushqime të pasura me vitamina dhe kalori dhe sa më pak produkte të konservuara që nxisin sëmundjet e mbipeshës.

“… ushqimi i shëndetshëm, buka me vete, është mënyra më pak e kushtueshme, por edhe më shumë e shëndetshme për të pasur një Tiranë, e cila vlerëson shëndetin te fëmijët, që ushqehet me të gjitha kaloritë dhe nesër nuk rritet si klient spitalesh, por si një qytetar i shëndetshëm i Tiranës”, tha Veliaj.

Për Veliajn kjo nismë vjen si ndërgjegjësim për prindërit, të cilët duhet t’ua japin bukën me vete fëmijëve të tyre.

“Gjenerata e re është në fakt paja e Tiranës. Në qoftë se ne i inkurajojmë fëmijët të hanë shëndetshëm, të hanë produkte organike, besoj se mund të kemi një qytet shumë herë më të mirë se qyteti që kemi sot”.

Sipas materialit të dërguar nga zyra e shtypit në bashkinë e Tiranës, Veliaj kërkoi që edhe restorantet apo ambulantët që shesin pranë shkollave dhe këndeve të lojërave të përdorin vetëm ushqime të shëndetshme.

Tv Klan