Sot përfundon mandati 5-vjeçar i Presidentit Bujar Nishani ndërsa Presidenti i zgjedhur Ilir Meta bën betimin dhe merr detyrën.

Sipas Kushtetutës, Presidenti Ilir Meta fillon ushtrimin e detyrës pasi bën betimin para Kuvendit, por jo më parë se të ketë mbaruar mandati i Presidentit që largohet.

Presidenti bën këtë betim: “

Betohem se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar”

.

Duke qenë se detyra e Kryetarit të Kuvendit mbahej nga Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, seanca për betimin e Presidentit drejtohet nga nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, e cila lexon formulën e betimit, sipas nenit 88 pika 3 të Kushtetutës.

Presidenti, duke e vendosur dorën mbi Kushtetutën e Republikës se Shqipërisë, deklaron:

Betohem” (Presidenti mund të shtojë “Zoti më ndihmoftë”

).

Pas leximit të tekstit të betimit, Presidenti i Republikës nënshkruan aktin e betimit.

Akti i betimit të Presidentit të Republikës i dorëzohet Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe depozitohet në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas Kushtetutës, ceremonia e betimit të Presidentit të Republikës transmetohet drejtpërdrejt nga televizionet kombëtare shqiptare.

Pas nënshkrimit të aktit të betimit të Presidentit të Republikës këndohet Himni Kombëtar.

Kryetari i Kuvendit fton Presidentin për të mbajtur fjalën përshëndetëse para Kuvendit. Kryetari i Kuvendit uron Presidentin për detyrën dhe deklaron mbylljen e seancës plenare.

Seanca plenare për betimin e Presidentit, ku pritet të jenë të pranishëm deputetët e mazhorancës dhe opozitës, parashikohet të nisë në orën 18:00 ndërsa rreth orës 19:15 Presidenti Meta i drejtohet Presidencës, ku pritet në një ceremoni të posaçme nga presidenti në largim, Bujar Nishani.

Presidenti në largim dhe Presidenti i ri mbajnë një takim kokë më kokë dhe më pas Presidenti Meta mban edhe një fjalë përpara të ftuarve.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja i dorëzon Presidentit Meta Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë , ndërsa Garda e Republikës parakalon para zyrës së kreut të shtetit.

/tvklan.al