dr.valdete

Shqetësimet e stomakut janë të shumta dhe shpeshherë neglizhenca bën që të tilla situata të shndërrohen në probleme madhore për shëndetin. Një pjesë e mirë e individëve të cilët vuajnë nga stomaku i druhen kryerjes së një ekzaminimi siç është gastroskopia. Lidhur me këtë teme, Dr. Valdete Malaj thotë se Gastroskopia nuk është aspak një ekzaminim i dhimbshëm, pasi kryhet më së miri me preparate qetësuese. Përpara ekzaminimit pacienti nuk duhet të konsumojë asgjë, nuk duhet të marrë holluese gjaku, si dhe të mos pijë duhan.

Çfarë është gastroskopia?

Gastroskopia është një ekzaminim me anë të të cilit shihet aparati tretës duke filluar nga goja, ezofagu, stomaku, si dhe fillimin e zorrës së hollë të quajtur duodeni.

Si është gastroskopi?

Është një tub i hollë, fleksibël i cili në majë ka një kamer me anë të së cilës përcillet imazhi deri në ekran. Ky tub ka edhe disa kanale të tjera me anë të të cilave kryhen disa shërbime të tjera, si pastrimi dhe biopsia apo manipulime të ndyshme, që kanë të bëjnë me heqjen e trupave të huaja, polipektomia etj.

A është e dhimbshme?

Gastroskopia nuk është ekzaminim i dhimbshëm, (para se të kryhet pacientëve i bëhet një sprajt mpirës për fytin, xilokaini në mënyrë që të mos ndjejë asnjë shqetësim). Gastroskopia mund të bëhet edhe me qetësues që e vë pothuajse në gjumë pacientin. Kjo sigurisht varet nga dëshira e pacientit. Duhet theksuar që në këto raste duhet prania e reanimatorit.

Çfarë i këshillohet pacientit përpara kryerjes së gastroskopisë?

Pacienti para egzaminimit duhet të ketë parasysh që 8 orë para kryrjes së këtij procesi nuk duhet të konsumojë asgjë. Tre ditë para nuk duhet të marrë holluese gjaku, si dhe ditën e egzaminimit nuk duhet të pijë duhan në mënyrë absolute.

A duhet përsëritur gastroskopia?

Egzaminimi mund të përsëritet disa herë dhe nuk paraqet absolutisht asnjë problem apo efekt anësorë.

Intervistoi: Vilma Kërçiku