Paris Saint Germain befasoi Barcelona në ndeshjen e parë të 1/8 të Champions League duke e mundur me rezultatin 4 – 0. Skuadra franceze i dha një leksion futbolli ekipit katalanas, që zotëroi këtë futboll në arenën kontinentale. Lojtarët e Paris u treguan të kujdesshëm në mbrojtje dhe të pamëshirshëm në sulm. Di Maria, Draxler dhe Cavani me golat e tyre e afrojnë më shumë fazën çerekfinale. Në krahun tjetër Messi, Suarez dhe Neymar nuk shfaqën klasin e tyre të zakonshëm, pasi goditjet e tyre të pakta nuk shqetësuan portierin kundërshtar.

Luis Enrique, trajner i Barcelona:

 

Ishtë një dështim. Kundërshtarët tanë ishin më lart në çdo aspekt. Ia dolën të fitonin çdo duel dhe ishin më efektivë në lojë. rezultati tregon atë që u pa në fushë. duhet ta kalojmë këtë situatë. Lojtarët janë të njëjtët, përgjegjësia është e imja.

Barcelona u kritikua edhe nga shtypi katalanas, që pati të njëjtin reagim si trajneri Enrique. Në ndeshjen tjetër e luajtur të martën Borussia Dortmund humbi 1 – 0 me Benfica në Lisbonë.

Ekipi gjerman edhe pse pati më shumë mundësi shënimi dështoi, madje Aubameyang shpërdoroi edhe një 11-metërsh në pjesën e dytë. Golin e vetëm të sfidës e shënoi Mitroglou në minutën e 48’. Sot do të luhen takimet Real Madrid – Napoli dhe Bayern Munchen – Arsenal./ TV KLAN