Qeveria e Kosovës ka reaguar pas dënimit të Ratko Mlladiçit me burgim të përjetshëm duke e vlerësuar se është vendosje e drejtësisë ndërkombëtare dhe satisfaksion për viktimat e luftës në Bosnjë.

 Madje në komunikatën e Qeverisë bëhet edhe një krahasim mes krimeve të Mladiçit dhe atyre të regjimit të Sllobodan Millosheviçit.

Më poshtë komunikata e plotë e Qeverisë së Kosovës:

Qeveria dhe populli i Kosovës më këtë rast, përkujtojnë publikun botëror se regjimi i Sllobodan Millosheviçit dhe gjeneralët e tij, kanë aplikuar edhe në Kosovë të gjitha format e krimeve të përshkruara në aktakuzën kundër Mlladiçit.

 Serbia e Millosheviçit i ka vrarë 11 mijë civilë shqiptarë në Kosovë, ka djegur e shkatërruar 130 mijë shtëpi, ka marrë pengje lufte 4 mijë të tjerë, ka përdor si mjet lufte dhunimin seksual të mijëra grave, dhe në fund ka deportuar rreth 800 mijë qytetarë shqiptarë jashtë kufijve të Kosovës.

 Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se është sinjal tepër trishtues për brezat që vijnë tendenca e rehabilitimit të kriminelëve të luftës, qoftë përmes heroizmit, qoftë përmes rehabilitimit të tyre, duke i propozuar ata që të ligjërojnë në Akademitë ushtarake.

 Qeveria e Kosovës vlerëson se porosia që dha sot TPNJ duhet t’u shërbejë në radhë të parë qeverive të rajonit për t’u ballafaquar me guxim me të kaluarën dhe për të reflektuar më shumë vendosmëri për t’u thënë jo politikave etnonacionaliste, si dhe për të nxitur më shumë mirëkuptim për viktimat – pavarësisht origjinës së tyre – për një paqe të qëndrueshme dhe pajtim ndërmjet popujve të kësaj hapësire të Europës.

 Ky verdikt i TPNJ duhet t’u shërbejë qeverive të rajonit për përkujtesë për ta braktisur përfundimisht dhunën në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe për të marrë kursin e pajtimit dhe njohjes e respektimit të vlerave reciproke, për t’i dhënë zemër përqafimit të vlerave të përbashkëta europiane dhe për ta inkurajuar synimin e popujve të rajonit tonë drejt integrimeve europiane dhe Euro-Atlantike.

 Udhëheqësi ushtarak i forcave serbe gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Ratko Mlladiç, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës.

 Aktakuza ndaj tij kishte gjithsej 11 pika dhe përfshinte krimet kundër njerëzimit, vrasjet, përdhunimet, persekutimet dhe torturat.

 Ai u shpall fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës, përveç për pikën 1, gjenocidin në gjashtë komuna në Bosnje, ndonëse u vërtetua pjesëmarrja e tij në projektin gjenocidal në Srebrenicë./Klan Kosova