Emisioni investigativ “STOP” në fokus të pjesës së parë ka patur ndërtimin e parkut të lojërave tek Liqeni i Tiranës.

“Parku i lojërave në parkun e Liqenit të Tiranës nuk ka leje mjedisore.”

Këtë përgjigje kanë marrë aktivistët e Shoqërisë Civile, nga Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiri. Shkresa me datë 23 mars 2016, tregon se ky projekt duhej të ishte pajisur me leje mjedisore të tipit c dhe të kryente të paktën procedurën paraprake të vlerësimit të ndikimit në mjedis.

leja mjedisore

Për kryerjen e këtyre procedurave një nga autoritetet që duheshin informuar dhe përfshirë është pikërisht Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Kjo agjenci pas marrjes së kërkesës për informacion nga të paktën 140 qytetarë u përgjigj se nuk ka marrë asnjë aplikim për këtë projekt.

 

“Rruga e Kosovarëve”

Pas transmetimit në emisionin e mbrëmshëm të problematikës lidhur me “Rrugën e Kosovarëve”, ka ardhur menjëherë reagimi i ish nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës Eno Bozdo, i cili jep arsyet se përse kjo rrugë nuk i’u dha komunitetit duke drejtuar gishtin e akuzës ndaj ish Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla e cila sipas tij, nuk lejoi zgjerimin e pjesës lidhëse të rrugës.

Eno Bozdo:

“Është detyrë e vetme dhe parësore e një emisioni investigativ të investigojë dhe të tregojë të vërtetën ashtu siç është, pa e fallsifikuar apo tjetërsuar. Projekti prej 75 milionë lekësh të reja, i konceptuar, hartuar dhe detajuar nga administrata Basha, u stopua nga Ministria e Arsimit, e cila nuk lejoi për dy vite zgjerimin e pjesës lidhëse të rrugës. Kjo pjesë lidhëse i takonte kompleksit sportiv “Dinamo” dhe Ministria e Arsimit ishte ligjërisht përgjegjëse për të kaluar pronësinë e truallit (siç e kërkon ligji) tek Bashkia e Tiranës. E përsëris: Ishte ligjërisht përgjegjëse! Dy vjet shkresa drejtuar Ministrisë së Arsimit nuk morën asnjëherë përgjigje. Një investigim pakëz serioz, por pakëz fare, do ta gjente menjëherë shkakun përse rruga e Kosovarëve nuk pati mundësinë t’i jepej komunitetit. Mjafton t’i referohesh korrespondencës zyrtare mes bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit.”

Emisioni ka nisur më pas investigimin e mëtejshëm ku ka mundur të sjellë edhe shkresat mes Lulzim Bashës dhe ish – Ministrës së Arsimit Lindita Nikolla, ku vërehet se është rënë dakord që kjo rrugë të mbarohet pas rishikimit të projektit.

Letra e Lulzim Bashës ndaj ish – Ministres, Lindita Nikolla:

basha letra ndaj nikolles

 

Përgjigjia e ish – Ministres Lindita Nikolla ndaj Lulzim Bashës:

nikolla leter bashes

Siç shihet qartë edhe nga fotot, kërkesa e Ish – Kryetarit të Bashkisë , Lulzim Basha, ka marrë përgjigje sa i përket projektit të rishikuar të rrugës, por gjithashtu edhe lejen që kjo rrugë vazhdojë punimet./tvklan.al