Vrasesit e 1 Majit

Dëshmia e një vajze 18 – vjeç ka konfirmuar dyshimet e Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës se, Elvis Gaçaj objektivi i atenatit të së enjtes në Tiranë, është një ndër shpërndarësit dhe furnizuesit kryesorë me drogë të kryeqytetit.

E reja është gjetur nga policia në banesën që kishte marrë me qera Kevin Rugova, një nga viktimat e atentatit.

Identiteti i saj nuk bëhet i ditur për shkak të sekretit hetimor.

Ky apartament ishte vendi ku policia gjeti 5 gramë kokainë dhe një peshore.

18 – vjeçarja ka rrëfyer para oficerëve të Policisë Gjyqësore se, ishte Gaçaj ai që e sillte drogën dhe ajo sëbashku me Kevin Rugovën e paketonin, duke e bërë të gatshme për treg.

Ajo ka treguar edhe mënyrën si shpërdahej lënda narkotike.

Për këtë përdoreshin vajza të reja, të cilat shpërndanin kryesisht në zonën e ish -Bllokut dhe tek ish – Ekspozita Shqipëria Sot.

Policia ka nisur verifikimin e dëshmisë së 18 –vjeçares, në përpjekje për të zbuluar vajzat e tjera të përfshira në shpërndarjen e kokainës dhe marijuanës në Tiranë.

Edhe Sael Sulaj dhe Vasiel Çavo, dy personat e arrestuar për vrasjen e Kevin Rugovës dhe Aurora Oskian dhe plagosjen e Elvis Gaçajt, pranuan përpara Prokurorit Eljo Mazreku se, konflikti kishte nisur nga pazaret e drogës.

Tv Klan