Djali i një efektivi policie si dhe një sapo i liruar nga burgu u plagosen me armë zjarri në qytetin e Durrësit. Alfred Skonja, 29 vjeç, person me precedent kriminal dhe Ismail Çyrbja 25 vjeç, marinar, kanë rënë pre e një atentati të ndodhur në lagjen numër 5, mbrëmjen e së mërkurës.

Dy të rinjtë sipas policisë, po qëndronin nën shoqërinë e të tjerë personave, ku në drejtim të tyre është qëlluar me një breshëri automatiku.

Për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë me katër plumba 29-vjeçari Skonja, si dhe djali i efektivit të policisë 25-vjeçari, Cyrbja.

Nga hetimet e para policia dyshon se objekt i atentatit ka qenë pikërisht Alfred Skonja, për shkak të precedentëve të shumta dhe konflikteve që ky i fundit kishte krijuar me të tjerë persona në qytetin e Durrësit.

Sipas policisë Skonja, i arrestuar më 25 gusht të këtij viti për vjedhjen e një automjeti në Krujë, të cilin do ta përdorte në ekzekutimin e një biznesmeni nga Durrësi, është lënë i lirë nga gjykata 30 ditë më pas, për mungesë provash. Ndërsa më herët ka qenë i dënuar me dy vite burg për veprën penale të vjedhjes.

Policia për ngjarjen shoqëroi 10 persona, mes tyre dy të dyshuar si autor në krim, ndërsa ne vendngjarje sekuestroi 6 gëzhoja./tvklan.al