Dhoma amerikane

Dhoma Amerikane e Tregtisë shpreh shqetësimin lidhur me aksionin e nisur nga qeveria kundër informalitetit duke dalë në përfundimin se aksioni ka efekt të kundërt dhe i detyron bizneset të falimentojnë. Ky plan masash sipas saj  në vend që të bëhet një nxitje për formalizimin e ekonomisë do të kthehet në një “shkop ndëshkues” për biznesin. Këtë konkluzion Dhoma Amerikane e mbron me faktin që efektet anësore të këtij aksioni që e ka zanafillën në ndryshimet e Ligjit për Procedurat Tatimore, të cilat sipas saj kaluan pa një diskutim paraprak me organizatat e biznesit.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat thuhet se masat penalizuese nuk tentojnë të edukojnë dhe të korrektojnë gabimet e biznesit por kanë një efekt penalizimi të tejskajshëm që sjell falimentin e tyre. Në praktikat botërore sipas reagimit të Dhomës Amerikane, gjobat përcaktohen si një përqindje e caktuar mbi nivelin e xhiros apo totalit të taksave të paguara, që do të thotë se një biznes me xhiro vjetore 8 milionë lekë nuk mund të gjobitet 10 milionë lekë, sepse shkakton falimentin e menjëhershëm të biznesit. Ndryshimet e bëra në Ligjin për Procedurat Tatimore  thuhet në deklaratë janë zbatuar pa ju lënë kohën e nevojshme  bizneseve që t’i njohin dhe t’i zbatojnë. Sipas Dhomës Amerikane ndryshimet në procedurat tatimore janë me dy standard, nga njëra anë tepër shtrënguese për bizneset dhe liri e autoritet i pakufishëm  për punonjësit e administratës tatimore. Kjo gjë sipas saj rrit ndjeshëm rrezikun e abuzivitetit dhe të korrupsionit nga ana e tatimorëve duke ndikuar negativisht në luftën kundër informalitetit.

Dhoma Amerikane thotë se mirëpret përpjekjet e autoriteteve për të zbatuar në mënyrë rigoroze ligjin, por gjithashtu duhet të merren në konsideratë rregullimet në normën e taksave, si edhe incentivat pozitive për bashkëpunim, të cilat mund të jenë gjithashtu pjesë e një zgjidhjeje efikase. Ajo thekson se lufta kundër informalitetit fillon si një reformë e menduar mirë, mbështetur në politika fiskale lehtësuese, me taksa të ulëta që e nxisin biznesin të bëhet pjesë e ekonomisë formale, krijojnë një klimë të qëndrueshme duke rritur investimet e huaja, hapin tregjet vendase duke u bërë të konkurrueshëm në Rajon, dhe për rrjedhojë i japin ekonomisë impulse pozitive. Kjo kërkesë është përcjellë edhe për paketën fiskale 2016.

Në nisje të aksionit, Dhoma Amerikane e tregtisë bëri thirrje që aksioni kundër informalitetit të mos ishte selektiv.

Tv Klan