Korçë, 21 Maj 2017 – 7 persona, mes të cilëve edhe pronari i një lokali nate kanë përfunduar në pranga, për shpërndarje droge.

Të arrestuari janë dy vëllezërit Armando Kokot, 18 vjeç dhe Mario Kokot, 22 vjeç, Leodin Rungo, 37 vjeç, Johan Mukollari, 42 vjeç, si dhe Agron Berisha, 44 vjeç, të gjithë banues në Korçë.

Policia sqaron se gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal me muzikë live, në kilometrin e parë të rrugës Korçë-Dishnicë, në afërsi të tavolinës ku ndodheshin të ndaluarit u gjetën 3 doza kokainë, të fshehura në një paketë cigaresh, si dhe 27 gramë bimë kanabis e futur në qese plasmasi.

Hetimet e mëtejshme çuan në arrestimin e pronarit të këtij lokali, Aleks Kostreci, 44 vjeç. Ai akuzohet se e kishte përshtatur lokalin për të shpërndarë drogë.

Në pranga përfundoi edhe truproja që punonte në këtë lokal, Elton Liço, 46 vjeç. Ky i fundit akuzohet për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, pasi sipas policisë, dyshohet se ka njoftuar  personat e arrestuar për ardhjen e policisë, të cilët pas marrjes të këtij sinjali kanë tentuar të fshehin drogën.

Procedim penal në gjendje të lirë ka nisur edhe për bashkëshorten e pronarit të lokalit, 26 – vjeçaren E.K, pasi rezulton se ajo nuk lëshonte kupon tatimor për klientët, si edhe kishte punësuar dy punonjës të cilët i kishte të padeklaruar në skemën e sigurimeve shoqërore./tvklan.al