Tetë persona janë shoqëruar nga policia e Lezhës, në përpjekje për zbardhjen e vrasjes së Aleksandër Ndokës, vëllait të ish-deputetit socialist Arben Ndoka. Hetimet kryesohen nga Drejtori i Hetimit të Krimeve të Rënda, Niko Brahimaj, ndërsa veprimet po kryhen nga një grup i posaçëm hetuesish të Policisë së Shtetit. Së paku 9 plumba i morën jetën 48-vjeçarit, i cili u gjet i pajetë rreth orës 04:20 minuta të mëngjesit të së shtunës në lagjen “Nënë Tereza”, në Lezhë.

Vëllai i ish-deputetit socialist, i cili kryente edhe funksionin e anëtarit të Këshillit Bashkiak të qytetit, u qëllua me armë zjarri përpara banesës së tij, teksa po zbriste nga makina e tij “Mitsubishi”.

Në vendin e ngjarjes, ekspertët e policisë gjetën 14 gëzhoja automatiku “Kallashnikov”. Nga hetimet e para dyshohet se Ndoka mund të jetë ekzekutuar disa orë përpara se të konstatohej nga familjarët e tij.

Ata i thanë policisë se kishin dëgjuar zhurma rreth orës 22:00 të së premtes, por i menduan si fishekzjarre. Kur vunë re se i 48-vjeçari nuk po kthehej në banesë, dolën në oborr, ku e gjetën të vrarë në makinë. Nga veprimet e para, hetuesit dyshojnë se autorët kanë qenë jo më pak se dy persona.

Policia sekuestroi pamjet e kamerave të sigurisë së disa bizneseve të zonës, për të parë lëvizjet e mundshme të autorëve.

Aleksandër Ndoka, së fundmi ishte emëruar Drejtor i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në Shkodër. Ai rezulton të ishte pa precedentë penalë, siç dëshmon edhe formulari i tij i Dekriminalizimit. Pika kontrolli janë ngritur në disa zona dhe kryqëzime të qytetit të Lezhës, ndërsa policia lokale po mbështetet edhe nga dy grupe të FNSH-së së Shkodrës..

Tv Klan