Eros Grezda mund të bëjë lëvizjen më të madhe në karrierën e tij fare të shkurtër, dhe të zëvendësojë një lojtar që sot vlen 25 milionë euro. Talenti shqiptar nga Kosova është në “radarët” e Dinamos së Zagrebit, që duket se e kërkon për të mbushur boshllëkun e lënë nga largimi i Marko Pjacës tek Juventusi.

Grezda luan për skuadrën tjetër të Zagrebit, Lokomotivën, që njihet si ekip satelit i Dinamos dhe kjo mund ta lehtësojë transferimin.

21-vjeçari që shkëlqeu sezonin e kaluar në Ligën e parë kroate duke shënuar shumë gola e duke dhënë mjaft asistë, luan si mesfushor i avancuar, pak a shumë në rolin që kishte edhe Pjaca.

Vetë Grezda ka pohuar se ka dijeni për interesimin e kampiones së Kroacisë, por nuk di të thotë nëse ka diçka konkrete, ndërsa ka edhe 3 vite kontratë me Lokomotivën.

Dinamo mund të paguajë 1 milionë euro apo më shumë për kartonin e tij, për ta shitur më pas shumëfish. Një taktikë që e ka përdorur për lojtarë të kalibrit si Modriç, Manxhukiç, Kovaçiç dhe Pjaca këtë vit.

Grezda, ndërkaq, ka veshur fanelën e Shqipërisë U21, dhe pritet të luajë për kombëtaren shqiptare.

Tv Klan