Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ishte e ftuar këtë të hënë në emisionin “Rudina”, në Tv Klan për të folur kësaj here jo për politikë, por për jetën e saj personale.  Nikolla ka treguar për marrëdhënien e ngushtë me prindërit e saj sidomos me të atin si dhe me dy vëllezërit me të mëdhenj, të cilët sipas saj edhe pse tashmë janë bërë prindër ende betohen “për kokë të Linditës”.

Lindita Nikolla ka rrëfyer edhe për dashurinë në distancë me bashkëshortin e saj Ligorin, e sigurisht për vajzën e saj e ardhur nga kjo dashuri, Livian. Ajo e quan vajzën e saj një pasqyrë ku shikon veten nëse është duke vepruar drejt apo jo. Kryeparlamentarja tha se këshillat e të bijës i kanë rezultuar gjithmonë të drejta.

Lindita Nikolla: Jashtë perfeksionit, besoj që unë kam qenë një nënë  që sa herë vajza ime ka pasur gëzimin, momentet e rritjes çështje që lidhen me shkollën, me problemet shëndetësore me radhë, jam përpjekur të jem një nënë që ajo të mos kishte asnjë pengesë për t’u shprehur. Jo gjithmonë ja kam arritur, por besoj se jemi mike të mira dëgjohemi shumë, kuptohemi pa folur.

Rudina Magjistari: Duket që të ngjan shumë.

Lindita Nikolla: Ngjan, në fakt ngjan më  shumë me gjyshen, nënën e bashkëshortit tim, por ngjan edhe me mua, dhe çdo ditë më duket se më ngjan më shumë, është vajzë me këmbë në tokë. Kur shikoj sytë e Livias, kuptoj nëse jam mirë në punën time apo ka ndonjë problem. Është shumë kritike, si çdo i ri dhe e re në këtë vend, por patjetër që mbështetëse në të gjithë rrugëtimin tim.

Rudina Magjistari: Si mama e një vajze, por ndërkohë edhe si një politikane shumë e spikatur, çfarë do doje që Livia të kishte marrë nga ty? Diçka që do kishe dashur që Livia ta kishte trashëguar nga ty?

Lindita Nikolla: Teksa vija këtu, e kam një porosi të veçantë nga Livia më tha “mos fol shumë për mua”.

Rudina Magjistari: Na fal Livia, herën tjetër do e kemi parasysh.

Lindita Nikolla: E ka shumë problem është natyrë shumë diskrete dhe e tillë do të qëndrojë,  por është pasqyrë ku unë shihem. Edhe pse jam nënë e saj, është pasyra ku unë shihem. Tashmë ajo është rritur dhe mund t’i kërkoj edhe këshilla. Shpeshherë i kërkoj këshilla dhe ndonjëherë nuk më pëlqejnë dhe them pse e pyeta, por në fund të ditës rezulton se i ndjek këshillat e saj./tvklan.al