Flakët e zjarrit përfshinë gjatë mëngjesit të së premtes dy banesa në fshatin Podgorie të Korçës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Për fat të mirë, nga zjarri nuk pati të lënduar në njerëz.

Zjarri u konstatua fillimisht në një banesë të sapondërtuar, pronarët e së cilës janë emigrantë në Greqi. Më pas flakët u përhapën me shpejtësi edhe tek ndërtesa tjetër, duke i shkrumbuar ato plotësisht.

Banorët e fshatit ndërhynë me mjete rrethanore, derisa mbërritën mjetet zjarrfikëse, të cilat lokalizuan dhe fikën vatrat e zjarrit, të cilat rrezikuan të përhapeshin edhe tek banesat rreth tyre.

Nga hetimet paraprake të policisë dyshohet për zjarrëvënie të qëllimshme. Policia ka shoqëruar disa persona, por edhe banorë të zonës për t’iu marrë deklarata mbi rrethanat e ngjarjes. Po kështu policia po pret mbërritjen e pronarëve të banesës për të mësuar më shumë prej tyre mbi konflikte të mundshme që ata mund të kenë me persona të tjerë.

Tv Klan