Njëmbëdhjetë federata anëtare të UEFA-s nga Europa Juglindore u mblodhën në Tiranë, për Mbledhjen strategjike të Federatave anëtare të UEFA-s. Nën drejtimin e presidentit të FSHF dhe njëherësh, zëvendëspresidenti i UEFA-s, z. Armand Duka, mbledhja u fokusua në aspekte kritike të strategjisë së UEFA-s për zhvillimin e futbollit.

Formati i ardhshëm i garave të klubeve të UEFA-s pas vitit 2024 dhe programi i ri shoqërues i solidaritetit, diskutimet mbi çështjet e arbitrazhit dhe zhvillimet e ardhshme, por dhe financat dhe mundësive në zhvillim për vendet pjesëmarrëse ishin disa nga temat e diskutuara.

Pas prezantimeve të këtyre temave, federatat pjesëmarrëse u thelluan në diskutime në lidhje me të ardhmen e futbollit europian, ku të gjithë pjesëmarrësit shprehën njëzëri mbështetjen e palëkundur për Presidentin e UEFA-s, Alexander Ćeferin.

Pjesëmarrës në këtë mbledhje ishin përfaqësues nga 11 federata kombëtare të futbollit, duke përfshirë Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë, Qipron, Greqinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Slloveninë, Turqinë dhe Shqipërinë.

Klan News